Hoti: Përhapja e HIV/AIDS në Kosovë, e ulët
K. K. / RTKlive
Në Ditën Botërore të HIV/AIDS, që sivjet mbahet me moton “T’i tejkalojmë pengesat dhe të transformojmë përgjigjet ndaj HIV/AIDS”, dr. Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK), i ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, tha se “edhe Kosova, njësoj si shumë vende të tjera, po përballet me rritje të rasteve të HIV/AIDS”.
Megjithatë, ai theksoi se situata në vend vazhdon të jetë e qëndrueshme dhe në kontroll, pasi përhapja mbetet nën 1 % në popullatën e përgjithshme dhe nën 5 % te grupet kyçe të rrezikut, të cilat, sipas tij, nuk e klasifikojnë epideminë si të gjeneralizuar, prandaj është e ulët.
"Deri më sot, që nga viti 1986, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 246 raste të HIV/AIDS. Vetëm vitin e kaluar janë raportuar 34 raste të reja dhe 7 vdekje, ndërsa gjatë këtij viti janë identifikuar 31 raste dhe 6 viktima”, tregoi Hoti.
Ai tha se rritja e testimeve, e nxitur nga fushatat e ndërgjegjësimit, po ndihmon në identifikimin më të hershëm të rasteve.
Ndërsa infektologu dr. Murat Mehmeti kujtoi se Klinika Infektive mbetet qendra kryesore për këshillimin para dhe pas testimit. Ai nënvizoi se testet për HIV janë falas, të shpejta, të sakta dhe plotësisht konfidenciale, një arsye më shumë që qytetarët të mos hezitojnë të testohen.























