Shënohet Dita e Investitorëve të Huaj në Kosovë
A.B|RTKlive
Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) mbajti dje ngjarjen e tij vjetore, ku u festua 11-vjetori i themelimit, u prezantua raporti White Book 2025, si dhe u shënua për herë të parë Dita e Investitorëve të Huaj në Kosovë. Ngjarja mblodhi bashkë përfaqësues të sektorit privat, diplomacisë, institucioneve shtetërore dhe komunitetit ndërkombëtar të investitorëve.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Shefi i Sektorit Politik të Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Boguslaw Gertruda, i cili theksoi rolin e EIC si një partner kyç në avancimin e mjedisit të biznesit dhe fuqizimin e dialogut publiko-privat.
“EIC luan rol thelbësor si urë lidhëse midis sektorit privat – gjenerues i të hyrave – dhe qeverisë si mundësuese e rritjes ekonomike. Është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të konsolidohen sa më shpejt dhe të ecet përpara me zbatimin e Planit të Rritjes dhe Axhendës së Reformës. Këto hapa do ta afrojnë Kosovën edhe më shumë me Tregun e Përbashkët Evropian,” theksoi Gertruda.
Ai rikujtoi se BE mbetet partneri më i fuqishëm i Kosovës, me 3.7 miliardë euro investime që prej vitit 1999.
Drejtori Ekzekutiv i EIC, Emrush Ujkani, theksoi rëndësinë e trefishtë të mbrëmjes: shënimin e Ditës së Investitorëve të Huaj, lansimin e White Book 2025 dhe përvjetorin e EIC.
“Sonte shënojmë tre momente të rëndësishme: publikimin e White Book 2025, përvjetorin e EIC dhe nisjen – për herë të parë – të Ditës së Investitorëve të Huaj në Kosovë. Ky është një hap i ri që institucionalizon dialogun dhe njeh rolin strategjik të investitorëve të huaj në zhvillimin ekonomik,” u shpreh Ujkani.
Ai falënderoi institucionet e Kosovës, partnerët ndërkombëtarë – përfshirë Zyrën e BE-së, BERZH-in dhe Bankën Botërore – si dhe komunitetin e investitorëve evropianë dhe të huaj, duke theksuar:
“Anëtarët tanë janë shtylla kryesore e EIC. Ju jeni partnerë të vërtetë në ndërtimin e një ekonomie më konkurruese dhe inovative.”
Gjatë mbrëmjes u lansua edhe raporti vjetor White Book 2025, i cili përfshin vërejtje dhe rekomandime në 9 fusha të ndryshme – si bankimi, sigurimet, politikat tatimore etj. – të hartuara drejtpërdrejt nga investitorët.























