Rritja e mbledhjes tatimore, sinjal i zvogëlimit të informalitetit|Video
BKT
Ekonomi

Rritja e mbledhjes tatimore, sinjal i zvogëlimit të informalitetit|Video

Visar Shatrolli / RTK

Sfidat përballë ekonomisë formale dhe mundësitë drejt ndërtimit të një tregu më të qëndrueshëm ishin në qendër të diskutimeve në nisjen e Javës së Ekonomisë Formale dhe Tregtisë së Ndershme, me fokus promovimin e formalizimit, konkurrencës së drejtë dhe transparencës ekonomike në vend.

Duke u bazuar në raportet ndërkombëtare, drejtori i Administratës Tatimore, Mentor Hyseni, nënvizoi se një përqindje e madhe e bruto produktit përfaqëson ekonomi joformale.

“Kur flasim për ekonominë formale si term, e dimë që raportet ndërkombëtare tregojnë diku 40 për qind të bruto produktit që është evazion fiskal ose ekonomi joformale. Diku 25 për qind janë të hyrat tatimore dhe të hyrat e doganës, nëse i krahasojmë me bruto produktin. Kjo i bie diku 150 për qind është ekonomi joformale në krahasim me atë që mbledh. Kur i sheh të hyrat tatimore — sepse shifrat janë kokëforta, nuk gënjejnë — kemi një rritje në tri vitet e fundit rreth 12 për qind nga viti në vit…”, tha Hyseni.

Rritja e besimit ndërinstitucional, përveç bashkëpunimit mes Administratës Tatimore, Doganës dhe Autoritetit të Konkurrencës, u theksua se kërkon edhe përfshirjen e qytetarëve për të krijuar një identitet të ri më bashkëkohor.

“Ndërsa kemi rritje ekonomike njëshifrore, kjo tregon se Administrata Tatimore dhe Dogana po e zvogëlojnë ekonominë joformale, pasi kanë rritje më të madhe të mbledhjes tatimore sesa zhvillimi ekonomik. Mirëpo ky është një tregues tjetër që tregon se ka hapësirë shumë më të madhe për të zvogëluar informalitetin…”, tha Hyseni.


"Unë besoj që nëse diskutojmë për ndershmërinë dhe besimin, është diçka shumë pozitive, sepse kohëve të fundit është krijuar një narrativ vetëm për korrupsionin dhe hajninë. Unë besoj që në Kosovë ka mjaftueshëm njerëz të ndershëm...", theksoi Astrit Panxha, organizator i “Kapitali Online”.

Java e Ekonomisë Formale dhe Tregtisë së Ndershme u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një tregu më të drejtë, më të rregullt dhe më konkurrues, duke forcuar themelet e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në vend.


MË SHUME NGA Ekonomi