Në Romë mbahet Forumi Ekonomik Italo-Shqiptar
Faton Salihu| RTK
Në Romë po zhvillohet Forumi Ekonomik Italo-Shqiptar “Urat Ekonomike”, e organizuar nga Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Itali (RIDA), anëtare e Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare.
Ky forum po vlerësohet si hap i ri drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik mes bizneseve shqiptare në diasporë por edhe për rritje të bashkëpunimit me bizneset italiane.
Në këtë forum po marrin pjesë shumë biznese shqiptare dhe italiane, afaristë nga më shumë se 10 shtete të ndryshme, përfshirë biznese nga Kosova. Qëllimi kryesor i forumit është rritja e partneritetit ekonomik, nxitja e investimeve të huaja në hapësirat shqiptare dhe krijimi i mundësive për eksportimin e prodhimeve vendore në tregjet e BE-së dhe më gjerë.
Gjatë forumit u zhvilluan panele diskutimi dhe takime B2B, ku bizneset patën mundësinë të krijojnë kontakte të drejtpërdrejta, të shkëmbejnë ide dhe të ndërtojnë ura të reja bashkëpunimi.
Presidenti i RIDA-s, Vat Marashi, theksoi se ky forum është një urë e rëndësishme lidhëse për komunitetin shqiptar dhe se ngjarje të tilla do të organizohen më shpesh në të ardhmen.
Ndërsa kryetari i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, Omer Nura, u shpreh se synimi i përbashkët për bashkëpunim po realizohet konkretisht, duke paralajmëruar organizimin e forumeve të ngjashme në disa shtete të tjera në muajt në vazhdim. Prezent në këtë ngjarje janë edhe kryetar të degëve të Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare të shumë shteteve.
Gjatë forumit u prezantuan gjithashtu punime mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale në biznese.























