Ferizaj organizon panair për promovimin e bizneseve artizanale
Driton Ramadani /RTK
Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Ferizaj ka organizuar një panair, ku bizneset kanë mundësinë t`i promovojnë produktet e tyre. Ky panair do të jetë i hapur deri të shtunën.
Me qëllim të përkrahjes së bizneseve artizanale dhe prodhimeve ushqimore tradicionale, Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Ferizaj ka organizuar një panair, ku bizneset kanë mundësinë t’i promovojnë produktet e tyre.
“Siç e dimë, bizneset ndodhen në një situatë të vështirë të ekzistimit të tyre dhe, nëpërmjet këtyre panaireve, ne ndikojmë që t’i mbajmë gjallë ekonomikisht, për shkak se kanë shitje të konsiderueshme gjatë panaireve që i organizojmë”, tha Balton Dërguti, drejtor i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit.
Bizneset, por edhe qytetarët, panairin e shohin si një mundësi të mirë, si për promovimin e punimeve të tyre, ashtu edhe për blerje.
“Sa të mundemi me punë, mirë është. Deri diku na ndihmon shumë panairi, sepse po vijnë njerëz dhe po marrin sende. Mirë është”, thaksoi Rukije Cokli, afariste.
Për Valdete Sahitin panairet janë gjithmonë të mirëseardhura. "Ato janë për promovimin e produkteve tona, që i punojmë vetë me duart tona”, tha ajo.
“Panairi, si panair, është me vend. Unë sa herë që vij nga mërgimi për Vitin e Ri, gjithmonë është panairi dhe gjithmonë marr këtu, sepse jam shumë i interesuar, pasi gjërat janë natyrale”, tha qytetari Xhevdet Salihu.
Panairi i bizneseve artizanale do të jetë i hapur deri të shtunën.























