Afaristë nga Kosova dhe diaspora sonte në Darkën e Investitorëve
Sh.G|RTKlive
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane sot organizon edicionin e dytë të Darkës së Investitorëve, e cila mbledh afaristë nga Kosova dhe diaspora. Kjo ngjarje synon të shërbejë si urë lidhëse mes ideve inovative dhe kapitalit investues, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e sipërmarrjes në vend.
Agim Kuleta, drejtor në Unionin e Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, ishte i ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTK, në Programin e Mëngjesit, ku foli për organizimin e edicionit të dytë të Darkës së Investitorëve, e cila do të mbahet sonte.
Kuleta theksoi se pas suksesit të edicionit të parë, dega e Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka vendosur të vazhdojë me organizimin e këtij eventi.
“Pas organizimit të edicionit të parë të Darkës së Investitorëve, vendosëm që ta organizojmë edhe edicionin e dytë, i cili do të mbahet sonte, si rezultat i reagimeve pozitive dhe interesimit që u shfaq pas edicionit të parë”, u shpreh ai.
Ai theksoi se ky projekt është menduar që në fillim si një mundësi e rëndësishme për bizneset e reja në Kosovë, të cilat përballen me vështirësi në qasjen në financa.
“Bizneset e reja shpesh nuk kanë një bazë të fuqishme financiare dhe për këtë arsye e kanë të vështirë qasjen në financim, sidomos përmes bankave. Ideja jonë ka qenë që t’u krijojmë atyre një hapësirë për t’u takuar me një grup tjetër interesi – investitorë nga diaspora dhe nga Kosova – të cilët kanë mjete financiare dhe janë të interesuar të investojnë në projekte të reja në Kosovë”, tha Kuleta.
Sipas tij, Darka e Investitorëve synon të shërbejë si urë lidhëse mes ideve inovative dhe kapitalit investues, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e sipërmarrjes në vend.























