10:53 / 29.12.2025
Trusti: Kemi arritur fitim bruto prej rreth 312 milionë euro nga investimet
M.P. / RTKlive
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (Trusti) ka njoftuar se gjatë vitit 2025 ka arritur një fitim bruto prej rreth 312 milionë euro nga investimet, deri më 24 dhjetor.
Në konferencën e fundvitit të këtij institucioni, u tha se kjo është një rritje e konsiderueshme në krahasim me vitin 2024, kur kthimi bruto nga investimet ishte rreth 244 milionë euro. Rrjedhimisht në dy vitet e fundit Trusti ka akumuluar rreth 556 milionë euro nga investimet e tij.
"Arkëtimi i kontributeve të reja në 2025-shin, aktualisht në vlerë prej 354 milionë euro, pasqyron një ngritje solide, si në vlerë nominale (prej +36 milionë euro) ashtu edhe në përqindje, prej 12%, nga viti paraprak”, thuhet në njoftimin e Trustit.























