AKB: Shtrenjtimi i energjisë sfidë edhe për vitin 2026
RTKlive
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka mbajtur konferencën vjetore 2025, ku kryetari Agim Shahini tha se sektori privat është goditur rëndë nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, duke shkaktuar ulje të prodhimit, reduktim të punëtorëve dhe largim të disa kompanive nga Kosova.
Ai theksoi se energjia mbetet sfidë serioze edhe për vitin 2026 dhe kërkoi nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme, si dhe angazhim më të madh institucional për ekonominë.
“Shtrenjtimi i energjisë krijoi turbulenca te investitorët vendorë dhe të huaj. Disa kompani u larguan nga Kosova, ndërsa sfida e energjisë mbetet ende e pazgjidhur”, tha Shahini.
Sipas tij, rritja ekonomike gjatë këtij viti ishte mesatarisht 3.5 për qind, ndërsa çmimet e produkteve të konsumit janë rritur 12–15 për qind. Pagat në sektorin privat u rritën rreth 18 për qind, por kjo nuk ka arritur të mbulojë rritjen e çmimeve, duke varfëruar shportën konsumuese rreth 11 për qind.
Shahini theksoi gjithashtu se eksportet kanë rënie krahasuar me importet dhe bëri thirrje për stabilitet politik, siguri për investitorët dhe fokus në ekonominë e brendshme.
Ndërkohë, drejtoresha e AKB-së, Lumnije Ajdini, tha se oda ka zhvilluar takime me prodhues vendorë, ambasada dhe partnerë strategjikë për promovimin e produkteve vendore. Ajo kërkoi rifunksionalizimin e Këshillit Ekonomik dhe hartimin e një strategjie kombëtare të eksportit për rritjen e eksporteve dhe uljen e importeve.























