Hyseni: Digjitalizimi dhe këshillimi, prioritet i ATK-së
BKT
Ekonomi

Hyseni: Digjitalizimi dhe këshillimi, prioritet i ATK-së

Valbona Thaçi / RTKLive

(E plotësuar) Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, ka prezantuar qasjen e re reformuese të institucionit, e cila synon modernizimin e ATK-së përmes më pak ndëshkimeve dhe më shumë këshillimeve për bizneset.

Sipas Hysenit, kjo qasje e re është më përparimtare sesa ndëshkimi, pasi fokusohet në ndërgjegjësimin dhe përkrahjen e tatimpaguesve për përmbushjen e obligimeve të tyre tatimore.

“Po kalojmë drejt një qasjeje me më pak ndëshkime dhe më shumë këshillime. Ideja është që bizneset të orientohen dhe të ndihmohen, e jo vetëm të penalizohen”, ka deklaruar ai.

Një tjetër shtyllë kryesore e reformës, sipas Hysenit, është digjitalizimi, përfshirë procesin e ri të inspektimit, i cili synon rritjen e transparencës, efikasitetit dhe uljen e barrës administrative për bizneset.

“Ky proces krijon siguri për tatimpaguesit, pasi siguron gjurmueshmëri për çdo veprim që ATK ndërmerr ndaj bizneseve”, ka shtuar ai.

Hyseni theksoi se asnjë reformë fiskale apo digjitale nuk mund të realizohet pa burime njerëzore të kualifikuara. Për këtë arsye, ATK planifikon reformë në sektorin e burimeve njerëzore, përfshirë rekrutimin e stafit të ri, si dhe transferimin e dijes nga stafi me përvojë te punëtorët e rinj.

“Synimi është bashkimi i përvojës së strukturave ekzistuese me energjinë dhe idetë e reja, në funksion të përshtatjes me ndryshimet që po i ndërmarrim”, ka theksuar ai.

Në fund, Hyseni bëri të ditur se ATK po punon edhe në forcimin e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë, me qëllim të zbatimit sa më efikas të praktikave më të mira ndërkombëtare në administrimin tatimor.

 Në konferencë po trajtohen tema me rëndësi në fushën e administrimit tatimor dhe zhvillimeve institucionale, si dhe synimin e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional.

ATK organizon konferencë në shënim të 26-vjetorit e themelimit

Administrata Tatimore e Kosovës po mban konferencën tematike me rastin e shënimit të 26-vjetorit të themelimit të saj.

Në konferencë po trajtohen tema me rëndësi në fushën e administrimit tatimor dhe zhvillimeve institucionale, si dhe synimin e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional.


MË SHUME NGA Ekonomi