OIK dhe Posta e Kosovës nënshkruajnë dy marrëveshje të rëndësishme
Kimete Kasumi/ RTKlive
Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë dhe Posta e Kosovës Sh. A. kanë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi, të cilat lehtësojnë ndjeshëm shërbimet administrative dhe financiare për mijëra anëtarë të Odës në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të OIK, marrëveshja e parë ka të bëjë me kryerjen e shërbimeve universale postare, përmes së cilës Posta e Kosovës do të bëjë pranimin, shpërndarjen dhe dorëzimin e të gjitha dërgesave zyrtare të Odës, përfshirë licencat profesionale, shkresat dhe dokumentacionin zyrtar drejtpërdrejt në adresat e anëtarëve.
"Kjo kontratë trevjeçare garanton që çdo dërgesë e Odës do të trajtohet sipas standardeve ligjore postare, me mundësi regjistrimi dhe gjurmimi, duke rritur sigurinë, efikasitetin dhe besueshmërinë e komunikimit zyrtar me anëtarësinë", thuhet në njoftimin e OIK-ut.
Ndër të tjera, bëhet me dije se marrëveshja e dytë i referohet autorizimit të Postës së Kosovës për inkasimin e pagesave të anëtarësisë së Odës në të gjitha zyrat postare në vend. Kjo nënkupton se anëtarët e OIK tashmë mund t’i kryejnë pagesat e tyre në çdo zyrë postare, me një komision fiks prej 0.50 centësh për transaksion, pavarësisht vlerës së faturës.
Përmes këtij shërbimi pagesat e anëtarëve do të procesohen në mënyrë të sigurt përmes sistemit financiar të licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës, ndërsa mjetet do të transferohen drejtpërdrejt në llogarinë bankare të Odës brenda afateve të përcaktuara.
OIK thotë se këto marrëveshje i vlerëson si një hap i rëndësishëm drejt lehtësimit të procedurave për anëtarët dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve administrative të OIK.























