Durmishi dhe delegacioni francez diskutojnë investimet dhe infrastrukturën
BKT
Ekonomi

Durmishi dhe delegacioni francez diskutojnë investimet dhe infrastrukturën

Kaltrina Rexheoi|RTK

Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka zhvilluar një takim me një delegacion francez, të përbërë nga Gérard Wolf, Frédéric Deshayes, Nicolas Frerot dhe Robin Colleu, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe institucional ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Sipas njoftimit, diskutimet janë përqendruar në “zhvillimin e infrastrukturës, mobilitetin e qëndrueshëm dhe mundësitë e investimeve”, si fusha me interes të përbashkët për të dyja palët.

Gjatë takimit, Gérard Wolf, i cilësuar si një figurë e shquar franceze në sektorin publik dhe të biznesit, ka ndarë përvojën e tij të gjerë si Këshilltar Special i Ministrit francez për Evropën dhe Punët e Jashtme për Qytetet e Qëndrueshme, rol që e ushtron që nga viti 2016.

Po ashtu, është diskutuar edhe për inovacionin dhe projektet e mëdha infrastrukturore, përfshirë angazhimin e tij si President i Komitetit të Inovacionit të SOLIDEO, organizata përgjegjëse për ndërtimin e objekteve olimpike për Lojërat Olimpike Paris 2024.

Takimi është mbajtur në kuadër të French Business Day, i cili u zhvillua më 5 shkurt 2026 dhe mblodhi mbi 20 kompani franceze të interesuara për të eksploruar mundësi konkrete biznesi dhe investimi në Kosovë.

Ky shkëmbim pikëpamjesh është vlerësuar si një hap i rëndësishëm drejt përcjelljes së interesit të kompanive franceze për të kontribuar në projektet prioritare të Kosovës dhe për ndërtimin e partneriteteve afatgjata dhe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve.

 


MË SHUME NGA Ekonomi