Të padukshëm në tregun e punës
Drita Loshi|RTK-Radio
Papunësia mbetet një ndër problemet më të theksuara në Kosovë, me ndikim të drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, në mirëqenien sociale dhe stabilitetin afatgjatë të vendit.
Por, kur flitet për personat me aftësi të kufizuar, ky problem merr përmasa edhe më shqetësuese. Ata jo vetëm që përballen me papunësi dhe mungesë të të ardhurave, por edhe me izolim social, varësi ekonomike dhe mungesë të barazisë në trajtim.
Personat me aftësi të kufizuar përballen me pengesa të shumta për t’u integruar në tregun e punës, jo vetëm për shkak të mungesës së kapaciteteve apo aftësive profesionale, por për shkak të paragjykimeve, mungesës së qasjes fizike dhe qëndrimeve të disa punëdhënësve, që mund të cilësohen të gabuara. Në shumë raste, aftësia e kufizuar shihet si pengesë absolute, ndonëse kërkon vetëm përshtatje minimale të ambientit të punës.
Në realitet, shumë persona me aftësi të kufizuar kanë potencial, arsimim dhe përvojë për të kryer punë të ndryshme. Disa prej tyre janë madje më të motivuar dhe më të përkushtuar, sepse përfshirja në punë për ta nuk përfaqëson vetëm një pagë, por barazi dhe pjesëmarrje aktive në shoqëri. Megjithatë, diskriminimi i heshtur, mungesa e infrastrukturës së përshtatur dhe mungesa e informacionit mbi lehtësirat ligjore që ofron shteti, vazhdojnë t’ua mbyllin dyert.
Një prej tyre është Fortesa Vishesella, 29 vjeç nga Prishtina, e diagnostikuar me një sëmundje të boshtit kurrizor, që ia vështirëson lëvizjen. Ajo prej vitesh kërkon një mundësi pune.
“Problemi për punësim është i madh, pasi nuk ma mundëson edhe lëvizja e tepërt dhe qëndrimi në këmbë. Por vazhdimisht jam duke kërkuar punë. Por përgjigjen që vazhdoj të marr vazhdimisht është që kanë stafin e mjaftueshëm. Kam kërkuar në dyqanin për paketimin e dhuratave, por përgjigja ka qenë se është bërë fabrika për ju dhe mund të kërkosh punë atje”.
Rrëfimi i saj pasqyron një realitet të përditshëm për shumë persona me aftësi të kufizuara, të cilët përballen jo vetëm me refuzim, por edhe me komente të papërshtatshme që nënkuptojnë izolim e jo integrim.
Sipas të dhënave dhe vlerësimeve të organizatave të shoqërisë civile, në Kosovë vetëm një pjesë e vogël e personave me aftësi të kufizuar janë të punësuar. Shumica përballen me papunësi afatgjatë, mungesë të përvojës profesionale dhe varësi nga skemat sociale. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në standardin e jetesës së tyre, por njëkohësisht dëmton edhe shoqërinë në tërësi, pasi humbet potenciali i mijëra qytetarëve që mund të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe social.
Për të adresuar këtë problem, ekspertë, njëherësh përfaqësues të organizatave joqeveritare, kërkojnë politika më të qarta dhe zbatim më të rreptë të ligjit. Sensibilizimi i punëdhënësve, krijimi i vendeve të punës të përshtatura dhe mbështetja financiare për përshtatjen e ambienteve, janë disa nga hapat e domosdoshëm.
Një shoqëri e drejtë dhe e përfshirë është ajo që nuk i lë pas këta individë vetëm për shkak të aftësive të kufizuara, thotë drejtori i organizatës Handikos, Afrim Maliqi. Pavarësisht disa përpjekjeve, gjendja mbetet e vështirë në shumë fusha, thekson ai.
“Sa i përket punësimit, viteve të fundit ka një lëvizje, por ajo apo një progres është i vogël, them kështu për shkak se punësimi i personave me aftësi të kufizuar nuk është i lehtë”.
Maliqi shprehet se numri i personave me aftësi të kufizuar i përfshirë në arsim është i vogël dhe bie edhe më shumë në nivelin e mesëm dhe universitar. Arsyet, sipas tij, janë të shumta duke nisur nga gjendja shëndetësore, mungesa e transportit të qasshëm, mungesa e objekteve shkollore dhe universiteteve të përshtatura, si dhe mungesa e pajisjeve ndihmëse. Kjo situatë krijon një hendek që më pas reflektohet drejtpërdrejt në tregun e punës.
Por, Maliqi thotë se viteve të fundit ka kompani private që i kontaktojnë për të plotësuar kuotën ligjore të punësimit dhe kërkojnë referime.
“Nëse ambienti është i papërshtatshëm, nuk ka hyrje të përshtatshme, nuk ka tualet, mandej personi për të shkuar te vendi i punës, mungon transporti i përshtatshëm, apo nuk ka kush t’ia lehtësojë lëvizjen për të shkuar deri te vendi i punës, kjo krijon vështirësi të mëdha, në punësimin e personave me aftësi të kufizuar”.
Edhe përfaqësues të tjerë të organizatave vlerësojnë se ka një trend përmirësimi të pjesshëm të gjendjes. Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar (FKAK), si organizatë ombrellë e organizatave të personave me aftësi të kufizuar, ka monitoruar situatën ndër vite.
Bujar Kadriu, drejtor i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, thotë se ka përparim të ndjeshëm në sektorin privat, por jo në atë publik.
“Ka një progres sa i përket punësimit të personave me aftësi të kufizuar, sidomos në sektorin privat, ku ky sektor ka një vetëdijesim shumë më të favorshëm në krahasim me të kaluarën. Kjo nuk do të thotë që edhe sektori publik është në të njëjtën linjë. Mendoj që sektori publik ende ka një regres sa i përket punësimit të personave me aftësi të kufizuar, jo vetëm punësimit por edhe akomodimit në vendin e punës, që është shumë me rëndësi për sistemimin apo integrimin në punësim të personave me aftësi të kufizuar”.
Në këtë realitet, Fortesa Vishesella vazhdon të kërkojë një mundësi.
“Kryesisht mund të kryej punë dhe që më pëlqen është puna në zyrë. Kam aplikuar edhe në postën e Kosovës, nëpër dyqane të vogla për paketimin e dhuratave ose kompani të printimit, por deri tani pa një përgjigje pozitive”.
Fortesa ka edhe përvojë pune përmes projekteve të Organizatës Handikos, por edhe punë tjera administrative.
“Kemi punuar në çanta të ripërdorshme, pas disa viteve kam vazhduar në një bankë të Kosovës, në qendrën e thirrjeve. Në projekte të ngjashme do të mund të punoja prapë, nëse ofrohet një mundësi. Edhe paga është e mirëseardhur, por më shumë jam e interesuar të kyçem në shoqëri dhe të trajtohem e barabartë”.
Probleme të theksuara ekzistojnë edhe për punësimin e personave të verbër. Daut Tishuki, nga Shoqata e Personave të Verbër, thotë se ndonëse disa persona janë punësuar përmes skemave të ministrisë së financave, sfidat mbeten të mëdha.
“Në njërën anë nuk zbatohet ligji për aftësim, riaftësim dhe punësim të personave të verbër, që i obligon si institucionet, si kompanitë private, që ta respektojnë kuotën nga 50 punëtorë me qenë një me aftësi të kufizuar, dhe e dyta, edhe aty ku munden të verbrit me depërtue është e nevojshme të krijohen kushte që i verbëri të punësohet dhe për këto, agjencia e punësimit nuk ka bërë asgjë”.
Sipas Tishukit, në Kosovë janë rreth 2 mijë persona të verbër, ndërsa vetëm një numër i vogël janë në marrëdhënie pune.
“Saktë nuk mund ta dimë por janë mbi 100 persona të verbër në marrëdhënie pune”.
Edhe drejtori i Handikosit, Afrim Maliqi, thekson mungesën e statistikave të sakta. Ai thotë se nuk dihet as numri i saktë i personave me aftësi të kufizuara në Kosovë. Rreth 13 deri në 15 mijë persona marrin pension nga shteti, ndërsa në Handikos janë regjistruar mbi 18 mijë, por numri real është shumë më i madh, shton ai.
“Numri është shumë më i madh, por në Kosovë mungon ende klasifikimi ndërkombëtar i shëndetit, apo funksionalitetit i cili do t’i vlerësonte personat me aftësi të kufizuara, pa marrë parasysh cfarë kufizimesh kanë ata, pa marrë parasysh a marrin pensione apo jo, por që ta kenë një status të personit me aftësi të kufizuar”.
Së fundi, Ministria e Financave ka hartuar një rregullore që parasheh hapjen e konkurseve të veçanta për persona me aftësi të kufizuara në institucionet publike. Megjithatë, sipas drejtorit të organizatës Handikos, kjo rregullore përmban kufizime.
“Kjo rregullore, për të cilën ne do t’i japim komentet tona, i përjashton shumë njerëz me aftësi të kufizuar, për arsye se kërkon një vërtetim, dëshmi institucionale për atë që merr pensionin. Por cfarë ndodhë me atë që është me aftësi të kufizuar dhe nuk merr kurrfarë pensioni, pra nuk ka të drejtë të aplikojë në atë konkurs”.
Ligji i Kosovës mbi aftësimin, ri-aftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara obligon çdo punëdhënës publik ose privat që të punësojë një person me aftësi të kufizuara për çdo 50 punëtorë. Nëse kjo nuk zbatohet, punëdhënësi duhet të paguajë gjobë në buxhetin e Kosovës. Por zbatimi mbetet i dobët dhe monitorimi institucional pothuajse mungon, thotë tutje Maliqi.
“Për ne ka qenë një kërkesë shumë e rëndësishme që këto gjoba që merren prej kompanive të krijohet një fond, i cili të përdoret për t’i trajnuar, aftësuar dhe ngritur kapacitetet e personave me aftësi të kufizuar”.
Zyrtarë nga Inspektorati i Punës, njoftuan se fondi i krijuar nga gjobat e shqiptuara ndaj kompanive për mosrespektim të ligjit që përcakton punësimin e personave me aftësi të kufizuar, gjatë vitit të kaluar ishte mbi 600 mijë euro.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, numri i përgjithshëm i punëkërkuesve të regjistruar me aftësi të kufizuar është gjithsej: 275 persona, prej tyre 88 femra dhe 187 meshkuj.
Gjatë vitit 2025 agjencia ka ndërmjetësuar në punësimin e rregullt dhe masa aktive të tregut të punës për gjithsej 8 persona, prej tyre 4 femra e 4 meshkuj. Ndërkaq në Aftësim Profesional janë përfshirë vetëm 9 persona, 4 femra e 5 meshkuj.
Sipas vlerësimeve, në Kosovë janë rreth 250,000 persona me aftësi të kufizuara.
Në fund, zëri i Fortesës mbetet një thirrje për barazi dhe dinjitet:
“Do ju kisha sugjeruar të na hapin dyert sepse edhe ne dimë, edhe ne vlejmë, jam shumë e interesuar, kam vullnet, vetëm hapësira për mua si person me aftësi të kufizuar mungon”.
Ky mesazh përmbledh thelbin e çështjes, që personat me aftësi të kufizuara nuk kërkojnë mëshirë, por mundësi. Dhe përgjegjësia për t’ua hapur derën nuk është vetëm e një institucioni apo e një kompanie, por e gjithë shoqërisë.























