Kusari-Lila: Në fokus reforma në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve
BKT
Ekonomi

Kusari-Lila: Në fokus reforma në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve

Kimete Kasumi/ RTKlive

Ministrja e Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar se avancimi i reformave ekonomike dhe forcimi i institucioneve mbështetëse për bizneset mbeten prioritete kyçe të qeverisë Kurti 3.

Një gjë të tillë ajo e theksoi gjatë takimit të parë ekonomik për vitin 2026 me shtetet anëtare të Bashkimi Evropian dhe misionet e tjera diplomatike në Kosovë, ku u diskutua për zhvillimet ekonomike, reformat dhe bashkëpunimin e mëtejmë ndërinstitucional.

Ajo nënvizoi se reformat, veçanërisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, por edhe në tërë sistemin institucional që mbështet sektorin privat, synojnë rritjen e transparencës, efikasitetit dhe besueshmërisë, duke krijuar një mjedis më të favorshëm për zhvillimin ekonomik dhe investimet.

“Kjo është jo vetëm për agjencinë, por për tërë periudhën qeverisëse, që të jetë e hapur, transparente dhe me sisteme komunikuese që u mundësojnë të gjithëve jo vetëm t’i përfundojmë bizneset në kuptim të regjistrimit dhe shërbimeve, por edhe të kemi siguri dhe besueshmëri të sistemit”, tha ajo.

Ajo shtoi se me një vizion të qartë, synohet që Kosova të bëhet jo vetëm histori suksesi, por një histori e shquar jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë. Sipas saj, ekziston një listë veprimesh afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, të cilat jo vetëm ministria që ajo drejton, por edhe Qeveria e Kosovës me mandat të plotë për katër vitet e ardhshme, do t’i zbatojë për realizimin e këtij vizioni.

Shefi i Seksionit për Integrim Politik, Ekonomik dhe Evropian në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Bogusław Gertruda, tha se objektivi kryesor i Bashkimit Evropian është të mbështesë rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe të përgatitë Kosovën për integrim gradual në tregun e përbashkët të BE-së.  

“Këtë e bëjmë përmes Marrëveshjeve për Asociim dhe Stabilizim, duke inkurajuar Kosovën të forcojë stabilitetin fiskal dhe të përmirësojë mjedisin e biznesit”, tha ai.

Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë theksoi se qëllimi i takimit ishte dëgjimi i pikëpamjeve, shqetësimeve dhe ideve se si mund të punohet së bashku në mënyrë më efektive si shoqatë biznesi. Ai u shpreh se përmes takimeve të tilla po ndërtohet një bashkëpunim më i strukturuar dhe produktiv.

“Pas një viti sfidues, mirëpresim heqjen e masave nga institucionet e BE-së”, tha ai.

Gokhan Acikgoz, drejtues Ekzekutiv (CEO) i Limak Kosovo International Airport u shpreh se është nder i madh të mirëpriten pjesëmarrësit në dialogun e parë për vitin 2026 midis vendit dhe anëtarëve të BE-së, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut ekonomik dhe forcimit të marrëdhënieve bashkëpunuese.


MË SHUME NGA Ekonomi