Pacolli takon ambasadorin Schnetzer, diskutojnë për bashkëpunimin mjedisor
Kimete Kasumi/ RTKlive
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, me të cilin ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit në fushën e mjedisit.
Gjatë takimit, palët kanë trajtuar tema të rëndësishme si menaxhimi i mbeturinave, mbrojtja e zonave të mbrojtura dhe përmirësimi i cilësisë së ajrit në Kosovë. Po ashtu, është diskutuar edhe për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin dhe Agjendën e Gjelbër Evropiane, si dhe për angazhimin e Kosovës në përmbushjen e kritereve dhe obligimeve që rrjedhin nga këto iniciativa në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Pacolli ka theksuar rëndësinë e përkrahjes së Austrisë për Kosovën dhe ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në projekte konkrete në fushën e mjedisit.
“Gjatë takimit theksova rëndësinë e përkrahjes së Austrisë për vendin tonë dhe shpreha gatishmërinë e plotë për të thelluar bashkëpunimin në projekte konkrete në fushën që e mbulojmë si Ministri”, ka shkruar Pacolli.























