Shoqata për Sëmundjet e Rralla- Kosovë organizon simpoziumin e tetë
BKT
Shëndetësi

Shoqata për Sëmundjet e Rralla- Kosovë organizon simpoziumin e tetë

Kimete Kasumi/ RTKlive

Shoqata për Sëmundjet e Rralla – Kosovë organizon sot simpoziumin e tetë me radhë me temën “Sëmundjet e rralla dhe imunodeficiencat primare”, me qëllim rritjen e vetëdijes dhe shkëmbimin e përvojave mes profesionistëve shëndetësorë.

Kryetarja e shoqatës, Shqipe Spahiu Konjusha, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, tha se qëllimi kryesor i këtij simpoziumi është vetëdijesimi i popullatës dhe i stafit mjekësor, pasi këto sëmundje shpesh janë të vështira për t’u diagnostikuar dhe nuk kanë simptoma specifike.

“Një në 2000 persona mund të preket nga një sëmundje e rrallë, ndërsa çdo vit zbulohen 250 deri në 300 sëmundje të reja. Sfida kryesore mbetet koha e gjatë e diagnostikimit, nga shfaqja e simptomave deri te vendosja e diagnozës. Vetëm 5 për qind e sëmundjeve të rralla kanë terapi specifike, ndërsa pjesa tjetër trajtohet në mënyrë simptomatike”, u shpreh ajo.

Ajo tregoi se në Kosovë, ndër sëmundjet më të shpeshta të rralla janë fibroza cistike dhe sëmundja Gaucher.

“Për këto sëmundje ekziston terapi, ndërsa për fibrozën cistike pritet që së shpejti të fillojë aplikimi i terapisë më të re specifike”, tha Spahiu Konjusha.

Sa i përket trajtimit, ajo theksoi se pacientët e diagnostikuar marrin terapi në vend, por sfidë mbetet diagnostikimi për shkak të mungesës së një laboratori gjenetik në Kosovë. Aktualisht, testimet gjenetike realizohen përmes marrëveshjeve me shtete të tjera.

Në simpozium po marrin pjesë mjekë pediatër, mjekë familjarë dhe specialistë nga Kosova, si dhe ligjërues nga Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

 


MË SHUME NGA Shëndetësi