Shqipëria dhe Kosova të thellojnë më shumë bashkëpunimin në turizëm
Shqipe Gashi|RTKLive
Kryetari i Shoqatës së Turizmit të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, tha për RTK-në, se Shqipëria do të jetë një prej destinacioneve kryesore për vitin 2026 për qytetarët e Kosovës. Ai tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të thellojnë bashkëpunimin në turizëm.
Kreu i Shoqatës së Turizmit të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, tha se me afrimin e pranverës dhe me fillimin e fundjavave të ngrohta, interesimi për destinacionet turistike brenda vendit rritet gjithnjë e më shumë.
Kurtishaj shtoi se Shqipëria, për dallim prej viteve të tjera, këtë vit do të ketë rreth 200 agjenci turistike, të cilat gjatë vitit 2026 do të kenë mundësi të shesin oferta dhe paketa të ndryshme turistike për në Shqipëri. Ai përmendi se Shqipëria ka vende turistike si në jug ashtu edhe në veri.
Kryetari i Shoqatës së Turizmit të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, foli edhe për qasjen që qytetarët e Kosovës kanë pasur së fundi, e cila lidhet edhe me heqjen e vizave.
“Viti 2024 ishte viti kur shqiptarët e Kosovës lëvizën më tepër drejt vendeve të ndryshme, qoftë në Greqi apo në vende të tjera të Evropës, ku patën mundësi të shkojnë e të vizitojnë familjet dhe të afërmit e tyre. Ndërsa viti 2025 ka pasur një kthesë; ne kemi statistikat tona që flasin për rreth 14% ndryshim nga viti 2024, pra për një rikthim të shqiptarëve të Kosovës drejt bregdetit shqiptar. Kjo rritje besoj se në vitin 2026 do të kalojë 30%. Pra, është një shifër që ne presim të arrihet, falë bashkëpunimit dhe përkushtimit tonë, duke falënderuar gjithmonë RTK-në, e cila ka qenë në ballë të promovimit të turizmit”, theksoi ai.
Sa i përket statistikave, Kurtishaj tha se tashmë edhe Shëngjini ka pushues nga Kosova. “Pra, kemi sezon turistik 12 muaj të vitit, apo 24/7, dhe kemi sezon turistik çdo ditë. Tashmë po ndërtohet një standard në shërbime, sepse kemi disa marka tregtare të hotelerisë botërore që janë prezente në Shqipëri, dhe kjo po i mundëson Shqipërisë të ngrejë edhe standardin e shërbimeve”, tha ai.
I pari i Shoqatës së Turizmit në vend, Ruzhdi Kurtishaj, tha se sa i përket turizmit malor, Shqipëria dhe Kosova e mbulojnë shumë mirë njëra-tjetrën në këtë aspekt, duke e krahasuar këtë bashkëpunim me atë mes Austrisë dhe Zvicrës. Sipas tij, për këtë duhet të ketë oferta të përbashkëta dhe bashkëpunime të ngushta edhe mes institucioneve, duke marrë pjesë në panaire të përbashkëta.
Sipas tij, në Kosovë gjatë sezonit të dimrit ka pushues dhe turistë që vijnë nga Tirana, Vlora dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Ai përmendi Brezovicën, Prevallën, Bogën e bjeshkët e Rugovës.
Kryetari i Shoqatës së Turizmit të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, tha se duhet të punohet edhe në përafrimin e legjislacionit për të ndihmuar zhvillimin turistik të Kosovës.
“Po ashtu, duhet edhe ndërtimi i infrastrukturës adekuate për të mbështetur dhe fuqizuar turizmin në Kosovë. Unë besoj se me themelimin e institucioneve përkatëse tashmë kemi një ministre që do të ketë përkushtim të madh për turizmin. Ne mund të bëjmë shumë më tepër. Mund të thithim edhe investime të huaja. Përveç investimeve, është shumë e rëndësishme të kemi edhe turistë të huaj dhe të kemi bashkëpunim me shtetin shqiptar. Ne jemi pjesëmarrës në shumë konferenca ndërkombëtare që lidhen me zhvillimin e turizmit në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria po merr pjesë në panairet më të zhvilluara botërore dhe ka një përkushtim të madh të Ministrisë së Turizmit për të promovuar turizmin. Ajo është përfituese e shumë granteve dhe mundësive për ta zhvilluar më tej këtë sektor. Besoj se viti 2026 do të jetë një vit me ndryshime pozitive në këtë drejtim”, tha ai.
Intervista e plotë























