Seminar për deklarimin e tatimeve dhe raportimi i pasqyrave financiare
Zenel Hajrizi / RTK
Veprimet e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) nuk janë të rëndësishme vetëm për tatimpaguesit dhe administratën e vendit.
Deklarimet për tatim shfrytëzohen për të mirën e përgjithshme, tha Mentor Hyseni - drejtor i ATK-së.
“Me raportim të drejtë dhe të saktë jo vetëm që mund të krijohen politika fiskale si shtet ne si ATK mund të planifikojmë kontrolla të ndryshme, ose shqyrtim të problematikave të ndryshme, por edhe institucionet tjera siç janë prokuroria e shtetit, policia, të gjitha institucionet mund të furnizohen me informata të drejta dhe të sakta dhe ti marrin vendimet e duhura”, ka thënë ai.
“Administratat tatimore e ka dëshmuar tashmë se është e përkushtuar që përmes komunikimit të hapur dhe bashkëpunimit me komunitetin të rritë nivelin e përgjegjësisë të tatimit në vend”, tha Zana Bucaliu, drejtoreshë për regjistrim të tatim paguesve.
Elvira Ibrahimi - Hoti, kontabiliste dhe auditore, tha se eliminimi i paqartësive në pasqyra financiare dhe tatim lehtëson të bërit biznes.
“Dikur u dha jeta për vendin tonë, ndërsa tash sot nga ne priten përgjegjësi të tjera e njëra ndër to është pagesa e tatimit, pra deklarimi i saktë dhe me kohë, pra është kontributi i vendit tonë”, tha ajo.
Transparenca i kontribuon zhvillimit, ndërsa përmbushja e tatimeve kthehet në të mira materiale kolektive, është akt përgjegjësie për shtetin dhe mirëqenien institucionale e shoqërore, u tha me këtë rast.























