Zhvillimet rreth çmimeve të naftës, flet kreu i naftarëve të Kosovës
Afet Bela/RTKLive
Zhvillimet në Lindjen e Mesme kanë ndikuar që edhe në Kosovë të ketë lëvizje të çmimeve të naftës. Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë për RTKLive se për momentin nuk ka vend për panik.
Berjani theksoi se çmimet në Kosovë janë stabile, duke u referuar këtu se një litër naftë, nga 1.23 €, tani kushton 1.35 €.
“Sot, çmimet sillen përafërsisht: Dizeli nga 1.23 € deri në 1.35 € për litër, benzina nga 1.24 € deri në 1.34 € për litër. Çmimet e derivateve tash e tre muaj kanë qenë stabile. Nuk ka pasur lëvizje në bursë,” deklaroi Berjani.
Ai shtoi se lufta atje, rritja e tensioneve dhe rreziku për ndërprerje të prodhimit, si dhe situata në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të kalimit të naftës në botë, po ndikojnë drejtpërdrejt në tregjet globale.
“Çdo problem në atë korridor reflektohet në tregjet ndërkombëtare dhe natyrisht reflekton edhe te ne në Kosovë. Nëpër këtë korridor kanë kaluar me qindra anije në ditë, ndërsa tani nuk kalojnë më shumë se katër ose pesë në ditë, dhe ato me rrezikshmëri të madhe,” tha ai.
Megjithatë, Berjani siguron qytetarët se nuk ka arsye për panik. “Qytetarët nuk kanë nevojë për panik, sepse derivate në Kosovë ka mjaftueshëm. Shpresojmë që të arrihet një marrëveshje paqeje dhe të stabilizohet tregu i naftës në mbarë botën. Qytetarët tanë aktualisht po furnizohen me çmime më të lira në rajon,” shtoi Berjani.
Transporti detar përmes ngushticës, e cila transporton një të pestën e naftës së konsumuar globalisht, si dhe sasi të mëdha gazi, është ndalur pothuajse plotësisht për shkak të sulmeve iraniane ndaj cisternave të naftës në rajon.























