Ferma e vëllezërve Mustafa në Kamenicë: Një storje suksesi në blegtori
BKT
Ekonomi

Ferma e vëllezërve Mustafa në Kamenicë: Një storje suksesi në blegtori

Fadil Sertolli/RTK

Në një fshat të Komunës së Kamenicës, dy vëllezër vazhdojnë ta mbajnë gjallë një fermë që nisi si nevojë familjare para luftës dhe u shndërrua në biznes të qëndrueshëm pas saj.

Me mbi 50 krerë lopë, shitje të garantuar të qumështit dhe mishit, si dhe me prodhim tërësisht vetanak të ushqimit për gjedhe, familja Mustafa mbetet shembull i përkushtimit në blegtori.

Megjithatë, mungesa e fuqisë punëtore dhe infrastruktura e dobët vazhdojnë të jenë sfida reale.

Hazir Mustafa, fermer nga Komuna e Kamenicës, tregon se para luftës familja e tij kishte mbarështuar lopë vetëm për nevoja familjare. Pas luftës, ai së bashku me vëllanë arritën ta zgjerojnë fermën deri në 80 krerë lopë.

“Aktualisht i kemi mbi 50 krerë viça. Numri ka rënë për shkak të mungesës së fuqisë punëtore”, thotë Mustafa.

Ai shton se stallat janë ndërtuar me mbështetje të Ministrisë së Bujqësisë.

Në këtë fermë, lopët mbarështohen për qumësht, ndërsa viçat dhe demat shiten për mish. Mjelja kryhet dy herë në ditë.

“Shitjen e qumështit e kemi të garantuar dhe çmimi është i mirë. Një pjesë e dorëzojmë në pikë grumbulluese, pjesën tjetër e shesim te klientë personalë. Çmimi varion nga 60 deri në 90 cent”, thotë ai.

Edhe shitja e viçave për mish, sipas tij, është e sigurt dhe me çmim të kënaqshëm.

Sa i përket formës së mbarështimit, Mustafa tregon se lopët i lëshojnë në kullosa për 10 muaj të vitit, ndërsa vetëm dy muaj gjatë dimrit, kur ka borë, qëndrojnë në stallë.

“Gjatë dimrit ushqehen me bar, jonxhë dhe grurë. Në stallë ushqehen tri herë në ditë. Punët nuk janë shumë të vështira, edhe pse i kryejmë vetëm ne dy vëllezër”, shprehet Mustafa.

Sipas tij, mbarështimi kryesisht në kullosa ndikon pozitivisht jo vetëm në cilësinë e qumështit dhe mishit, por edhe në pakësimin e sëmundjeve te gjedhet.

Familja Mustafa ushqimin për gjedhe e kultivon pothuajse tërësisht vetë.

“Përjashtim bën misri, të cilin nuk po arrijmë ta kultivojmë pasi po na e dëmtojnë derrat e egër”, thekson ai.

Përveç gjedheve, dy vëllezërit mbarështojnë edhe pata, gjela të detit dhe pula. Shitja e tyre për mish nuk paraqet problem, ndërsa vezët përdoren si për nevoja familjare ashtu edhe për treg.

“Mbarështimi i gjelit të detit është më problematik, pasi vezët i bëjnë në pyll”, tregojnë ata.

Në fermë nuk mungojnë as bletët, të cilat në këto zona me fusha dhe pyje të shumta gjejnë kushte të mira për prodhim.

Falë punës shumëvjeçare, dy vëllezërit Mustafa kanë arritur jo vetëm siguri ekonomike për familjen, por edhe të blejnë mbi 500 hektarë tokë dhe pyje në fshatin e tyre.

Sa i përket subvencioneve, Mustafa shprehet i kënaqur me mbështetjen që marrin, por thekson një problem të pazgjidhur.

“Problemi i vetëm mbetet rruga prej rreth tre kilometrash që na çon te ferma dhe shtëpitë tona. Është premtuar se do të asfaltohet, por ende nuk është realizuar”, përfundon ai.


MË SHUME NGA Ekonomi