Basha: Po shqyrtojmë gjendjen e infrastrukturës rrugore
Kimete Kasumi/ RTKlive
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se po shqyrtohet gjendja e infrastrukturës rrugore. Ai ka thënë se që nga dita e parë e marrjes së detyrës kanë nisur shqyrtimin e detajuar të gjendjes së infrastrukturës rrugore dhe të ecurisë së projekteve në zhvillim.
“Bashkë me profesionistët e fushës, përmes analizave teknike, inspektimeve në terren dhe konsultimeve me administratën, fillimisht kemi evidentuar pikat ku nevoja për ndërhyrje emergjente është e domosdoshme”, ka shkruar Basha në Facebook.
“Situata më e ndjeshme paraqitet në rrugën e fshatit Carralevë të Komunës së Shtimes, si dhe në aksin Klinë–Gurakoc (segmenti në Krushevë) dhe në segmentin Zhur–Dragash, ku rrëshqitjet e dheut kanë cenuar trupin e rrugës dhe ku gjendja e tyre paraqet rrezik të lartë për qytetarët që i frekuentojnë këto akse”.
Ministri tutje thotë se për zonën e Carralevës projekti i rehabilitimit është i gatshëm dhe tani, pas dekretimit të Ligjit për Buxhetin, i ka kërkuar administratës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të proceduar sa më shpejt me procesin e sigurimit të rehabilitimit emergjent, si dhe njëkohësisht të zhvillojë planin për rehabilitim afatgjatë.
“Në anën tjetër, meqenëse për segmentet e dëmtuara në Klinë–Gurakoc (segmenti Krushevë) dhe atë në aksin Zhur–Dragash projektet e rehabilitimit nuk janë të gatshme, kam kërkuar që fillimisht të përgatiten sa më parë planet inxhinierike për sanim emergjent, e pastaj të procedohet me rehabilitimin e tyre sa më shpejt që e lejojnë procedurat”, ka theksuar ai.
Po ashtu ai ka falënderuar administratën për bashkëpunimin dhe angazhimin profesional në këtë fazë të rëndësishme. “Pres që, me koordinim të plotë institucional dhe respektim rigoroz të afateve procedurale, të veprojmë me përgjegjësi dhe efikasitet maksimal në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së tyre”, ka përfunduar Basha.
Basha poashtu ka thënë se pas njoftimit për dëmtimet e konstatuara në Urën e Dollcit, në kuadër të zgjerimit të rrugës nacionale N9, ka kërkuar angazhim të menjëhershëm për vlerësim dhe ndërhyrje të shpejtë në terren.
Basha theksoi se brenda një afati të shkurtër janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme teknike për sanimin e dëmtimeve, duke garantuar tani siguri të plotë për qarkullimin e automjeteve.
“Punimet kanë përfunduar sot dhe ura tashmë është e gatshme për hapje. Trafiku në aksin Prishtinë–Pejë dhe anasjelltas mund të zhvillohet normalisht. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj qytetarët për mirëkuptimin, si dhe administratën dhe punëtorët për punën efektive”, ka shkruar ai në Facebook.























