Inspektorati monitoron çmimet e derivateve, paralajmëron masa për shkelësit
BKT
Ekonomi

Inspektorati monitoron çmimet e derivateve, paralajmëron masa për shkelësit

Emine Hoti/RTKlive

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut po zhvillon mbikëqyrje intensive në tregun e derivateve të naftës për të siguruar zbatimin e vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave mbrojtëse.

Sipas njoftimit nga MINT, mbikëqyrja po realizohet në bazë të vendimit të nënshkruar më 4 mars 2026 nga ministrja Mimoza Kusari-Lila, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës në treg, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe parandalimin e çrregullimeve në tregun e karburanteve.

Autoritetet kanë bërë të ditur se Inspektorati, në bashkëpunim me Administrata Tatimore e Kosovës, është duke analizuar të dhënat lidhur me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

“Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së martë – datë: 10.03.2026, ka qenë si në vijim:

Naftë (Dizel): 1.45 €/litër; Benzinë: 1.17 €/litër. Ndërkohë, nga monitorimi i realizuar në tregun vendor rezulton se çmimet e shitjes me pakicë janë: Naftë (Dizel): nga 1.44 euro deri në 1.54 euro për litër, Benzinë: nga 1.18 euro deri në 1.31 euro për litër”, thuhet në njoftim

Bazuar në vendimin për rregullimin e përkohshëm të çmimeve, është përcaktuar një marzhë maksimale tregtare prej dy eurocentë për litër për shitjet me shumicë dhe dymbëdhjetë eurocentë për litër për shitjet me pakicë. Marzha tregtare përkufizohet si diferenca ndërmjet çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.

Sipas ministrisë, Inspektorati Qendror do të vazhdojë monitorimin dhe inspektimet në treg në bashkëpunim me Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës.

Autoritetet paralajmërojnë se në çdo rast kur identifikohen parregullsi, mosrespektim i marzhës së përcaktuar apo praktika që dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze sipas legjislacionit në fuqi. “Për zhvillimet e mëtejshme, publiku do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Ekonomi