Nuk lëvizin çmimet e derivateve të naftës në Kosovë, edhe sot të njëjta
Valmira Saraçi|RTKlive
Edhe sot çmimet e derivateve të naftës në Kosovë janë të njëjta. Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka bërë të ditur se po vazhdon mbikqyrja bazuar në vendimin e 4 marsit të ministres Mimoza Kusari Lila.
“Bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor sot, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë rezultojnë si më poshtë: Naftë (Dizel): nga 1.44 €/litër deri në 1.54 €/litër. Benzinë: nga 1.18 €/litër deri në 1.31 €/litër”, thotë MINTI në njoftim.
Gjithashtu thonë se, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës janë duke realizuar analiza të të dhënave lidhur me çmimet e importit.
“Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së enjte, - datë: 12.03.2026, ka qenë si në vijim: Naftë (Dizel): 1.42 €/litër. Benzinë: 1.17 €/litër”, vijon njoftimi MINTI-t.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut thotë se do të vazhdojë të monitorojë dhe të inspektojë në mënyrë intensive zhvillimet në tregun e derivateve të naftës së bashku me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës dhe, në të gjitha rastet ku identifikohen parregullsi eventuale, mos respektim i vendimit të marzhës apo praktikave që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze të parapara me legjislacionin në fuqi.























