BQK hap Javën Globale të Parasë 2026, ndahen çmimet për studentë dhe nxënës
Emine Hoti/RTKlive
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) hapi aktivitetet e Javës Globale të Parasë (GMW) 2026, një iniciativë globale që synon promovimin e edukimit financiar dhe zhvillimin e aftësive financiare tek të rinjtë. Si pjesë e ceremonisë hapëse, u ndanë edhe çmimet e konkursit edukativ “Stock Market Learning Competition”.
BQK përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ceremonia u mbajt në praninë e përfaqësuesve të institucioneve, sektorit financiar, universiteteve dhe studentëve, ku njëkohësisht u organizua edhe ndarja e 11 çmimeve të "Stock Market Learning Competition Game", që u zhvillua nga tetori 2025 deri në janar 2026 dhe përfshiu 42 studentë nga tetë fakultete të ekonomisë të vendit tonë.
“Përmes këtij konkursi, studentët patën mundësinë të marrin pjesë në simulimin e tregtimit në Bursën virtuale të Stuttgartit, duke fituar përvojë praktike në marrjen e vendimeve për investime dhe në analizën e tregjeve financiare. Gjithashtu, u ndanë çmimet për fituesit e kuizit financiar për nxënësit e shkollave të mesme, ku shpërblehen 6 nxënës nga shkolla të ndryshe më të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Me rastin e hapjes së kësaj jave, Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili theksoi rëndësinë e edukimit financiar në një kohë kur transformimi digjital dhe zhvillimi i shërbimeve financiare kërkojnë njohuri dhe përgjegjësi më të madhe në menaxhimin e financave personale. Ai nënvizoi se BQK mbetet e përkushtuar për të avancuar mbrojtjen e konsumatorit dhe për të zhvilluar iniciativa që rrisin transparencën, informimin e qytetarëve për produktet e shërbimet financiare dhe se iniciativa të tilla kontribuojnë në zhvillimin e aftësive analitike dhe vendimmarrëse të studentëve, duke i përgatitur ata më mirë për sfidat e tregjeve moderne financiare.
“Andaj, në kuadër të përkushtimit për promovimin e hulumtimit shkencor dhe zhvillimin profesional të të rinjve, Guvernatori Ismaili njoftoi se BQK shpall thirrjen për punime kërkimore “Çmimi i BQK-së për Ekonomistë të Rinj”, një konkurs vjetor për studentë dhe hulumtues të rinj në fushën e ekonomisë dhe financave, i cili do të jetë i hapur deri më 15 tetor 2026”, thuhet në njoftim.
BQK vlerëson se roli i saj është kyç në sigurimin e stabilitetit financiar dhe rritjen e besueshmërisë në sistemin financiar të Kosovës. Në një kohë të zhvillimeve dhe inovacioneve të shpejta në teknologjinë financiare, njohuritë financiare konsiderohen gjithnjë e më të rëndësishme për qytetarët dhe për një të ardhme më të sigurt ekonomike.
Java Ndërkombëtare e Parasë është iniciativë globale, e udhëhequr nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), bashkon 176 vende të botës për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e edukimit financiar. Këtë ngjarje sivjet BQK e organizon për të 13-tën herë dhe do të shënohet me aktivitete nga data 16 deri më 20 mars 2025.























