Interesimi për vaksinën HPV në Kosovë shënon rritje
BKT
Shëndetësi

Interesimi për vaksinën HPV në Kosovë shënon rritje

Donika Sherif/RTK

Vaksinimi kundër Human Papiloma Virusit, virus që lidhet me zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës, po shënon rezultate pozitive si proces që tashmë ka përfshirë mijëra fëmijë. Të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik vënë në pah rritje të vazhdueshme, ndërkohë që bëhet thirrje tek prindërit të mos hezitojnë dhe për çdo paqartësi të konsultohen me profesionistë të fushës.

“Deri më tani, duke përfshirë dy vitet, ne kemi administruar diku mbi 30 mijë doza të kësaj vaksine në vendin tonë. Asnjë efekt anësor serioz nuk është raportuar në Institutin Kombëtar, kështu që vaksinat, duhet ta theksojmë, janë efektive, shumë të sigurta, kalojnë nëpër disa faza të testimit. Por një gjë që e kanë shumë të rëndësishme vaksinat është se gjatë gjithë kohës, edhe kur shpërndahen, edhe kur dalin në përdorim, ato vaksina monitorohen dhe vendi ynë obligativisht i ka me raportuar për secilën vaksinë”, tha Fetije Fetaj, shefe e vaksinimit në IKSHP.

Edhe drejtoritë komunale të shëndetësisë vënë në pah rritje të interesimit për vaksinim.

“Përqindja për vitin 2024-tër për qytetin e Prishtinës ka qenë 85% për vajza, ndërsa menjëherë në vitin 2025 kemi një rritje të kësaj përqindje për 3% në total, d.m.th përqindja në total për djem e vajza për vitin 2025 ka qenë ose është 88%, më specifikisht për vajza është 89%, për djem 87%, që mesatarja i bie kësaj. Këto vaksina janë obligative që nga mosha 13-vjeçare, që korrespondon me klasën e gjashtë të shkollës fillore”, tha Valdet Hashani, drejtor i QKMF-së në Prishtinë.

Vaksina kundër HPV-së rekomandohet për personat e moshës 9 deri në 26 vjeç. Në Kosovë, vaksina kundër HPV-së ka hyrë në kalendarin e rregullt të vaksinimit në vitin 2023 dhe ka filluar të jepet te vajzat dhe djemtë e moshës 12 vjeç (përmes vaksinimit në klasën e 6 në shkolla), si dhe në qendrat e vaksinimit në secilën komunë.


MË SHUME NGA Shëndetësi