ZRRE: Liberalizimi i tregut të energjisë konfirmohet si i ligjshëm
Shkelzen Çoçaj|RTKlive
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur të papranueshme kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
Përmes një njoftimi, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) bëri të ditur se ky aktvendim konfirmon ligjshmërinë e vendimeve të saj dhe të gjithë procesit të liberalizimit të tregut të energjisë në vend.
Sipas ZRRE-së, liberalizimi po zbatohet në përputhje me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe aktet përkatëse nënligjore, duke synuar krijimin e një tregu konkurrues, transparent dhe më efikas.
“Qëllimi i këtij procesi është të sigurojë përfitime për konsumatorët, përmes rritjes së konkurrencës dhe përmirësimit të shërbimeve në sektorin e energjisë,” thuhet në njoftim.
Me këtë vendim të Kushtetueses, hapet rruga për vazhdimin e plotë të reformave në tregun energjetik në Kosovë.























