Inspektorati nis aksion të gjerë inspektues në sektorin e ndërtimtarisë
BKT
Ekonomi

Inspektorati nis aksion të gjerë inspektues në sektorin e ndërtimtarisë

Naser Mekolli /RTKlive

Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se, në zbatim të vendimit të Ministrit të MPFVLÇ-së dhe në përputhje me mandatin e tij ligjor, ka ndërmarrë një aksion të jashtëzakonshëm inspektues në sektorët me rrezikshmëri të lartë në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas raportit 48-orësh të publikuar nga Inspektorati Qendror i Punës, i cili paraqet rezultatet e ditës së dhjetë të inspektimeve, fokusi kryesor i kontrolleve ka qenë sektori i ndërtimtarisë, ku është realizuar 100% e inspektimeve.

Në njoftim bëhet e ditur se numri i ndalimeve të punimeve përfshin automatikisht edhe kërkesat për kundërvajtje, ndërsa të gjitha subjektet ndaj të cilave është vendosur ndalim pune do të procedohen në gjykata për shkeljet e konstatuara.

Po ashtu, Inspektorati ka theksuar se procesi i riinspektimeve do të vazhdojë në ditët në vijim, sipas afateve të përcaktuara nga inspektorët, për të verifikuar eliminimin e parregullsive në vendet e punës. “Eliminimi i parregullsive” nënkupton ndërmarrjen e masave nga subjektet e inspektuara për përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe shëndetit në punë.

Inspektorati Qendror i Punës ka theksuar se aksioni synon rritjen e sigurisë në vendet e punës dhe respektimin e standardeve ligjore në sektorët me rrezik të lartë.

 


MË SHUME NGA Ekonomi