Lansohet regjistrimi digjital i lindjes së fëmijëve
Kimete Kasumi/ RTKlive
Sot në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK është lansuar projekti për shërbimet e integruara digjitale për “ngjarjen jetësore: lindja e fëmijës”. Ky sistem, i cili tashmë ka kaluar fazën pilot në Gjilan dhe Ferizaj, do t’u mundësojë prindërve që regjistrimin e foshnjave dhe aplikimin për përfitime t’i kryejnë në mënyrë automatike dhe digjitale.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur se platforma e-Kosova tashmë ofron qasje në 245 shërbime që lidhen me këtë proces. Sipas tij, ky projekt eliminon gabimet njerëzore dhe pritjet e gjata.
“Në momentin e regjistrimit, procesi zgjat më pak dhe regjistrimi bëhet menjëherë, pa pasur nevojë për procedura në institucione të tjera apo për gabime që mund të ndodhin nga plotësimi manual, siç ka qenë më herët”, deklaroi Vitia, duke shtuar se shërbimi shumë shpejt do të shtrihet në të gjitha maternitetet e Kosovës.
Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, theksoi se ky është një ndryshim rrënjësor në administratën publike. Ai shpjegoi se të dhënat e foshnjës shkëmbehen në kohë reale ndërmjet Regjistrit Civil, Sistemit të Vaksinimit, Agjencisë së Statistikave dhe Skemave për Shtesa.
“Qëllimi është ofrimi i shërbimeve proaktive. Shteti i posedon të dhënat dhe, përmes tyre, ofron shërbime të personalizuara pa pasur nevojë që qytetari të aplikojë fizikisht”, tha Jagxhiu. Ai paralajmëroi se, pas lindjes, shërbime të ngjashme do të krijohen edhe për ngjarje të tjera, si vdekja e një të afërmi, ndërrimi i adresës dhe hapja e biznesit.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, e vlerësoi lart këtë arritje, duke e cilësuar si një hap drejt një shteti modern.
“Mirëpritja e një fëmije është një moment i mrekullueshëm, por edhe stresues. Çdo gjë që e bën jetën më të lehtë në atë moment për nënat dhe familjet është pozitive”, tha ambasadori, duke konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme gjermane përmes GIZ-it në procesin e digjitalizimit.
Shtrirja e projektit pritet të fillojë brenda kësaj jave edhe në Prizren dhe Vushtrri, për të vazhduar më pas në Pejë, Gjakovë dhe në spitalet private. Ky digjitalizim është pjesë e reformës më të gjerë të Sistemit të Informacionit Shëndetësor (SISH), i cili synon të transformojë rrënjësisht shërbimet shëndetësore brenda tri viteve të ardhshme.























