Konferenca rajonale e FAO-s, thirrje për veprim ndaj krizave ushqimore
N.Mekolli /RTKlive
Ministrat dhe përfaqësues të lartë nga Evropa dhe Azia Qendrore janë mbledhur në Dushanbe të Taxhikistanit në kuadër të Sesionit të 35-të të Konferencës Rajonale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO), ku në fokus është forcimi i sistemeve agro-ushqimore përballë sfidave klimatike, ekonomike dhe gjeopolitike.
Konferenca nga 11 deri më 15 maj, zhvillohet me temën “Të bashkuar për qëndrueshmëri: Integrimi i veprimeve klimatike, ruajtjes së biodiversitetit dhe restaurimit të tokës për sisteme agro-ushqimore të qëndrueshme në Evropë dhe Azinë Qendrore”, njofton zyra për informim e FAO-s.
Bëhet e ditur se në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, QU Dongyu, theksoi se sfidat si kriza klimatike, paqëndrueshmëria ekonomike dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit nuk njohin kufij dhe kërkojnë zgjidhje të përbashkëta. Ai bëri thirrje për rritjen e qëndrueshmërisë së sistemeve agro-ushqimore dhe sigurimin e financimeve të nevojshme për këtë qëllim.
Konferenca vjen në një kohë kur vendet e rajonit përballen me goditje klimatike, luhatje të tregjeve dhe tensione gjeopolitike, të shoqëruara me rritje të çmimeve të ushqimeve dhe kostove të prodhimit bujqësor. Sipas FAO-s, rajoni pritet të ngrohet me ritëm dyfish më të shpejtë se mesatarja globale, ndërsa mbi 90 milionë hektarë tokë janë të degraduara.
Megjithëse tregjet globale të ushqimeve janë stabilizuar pjesërisht pas rritjeve të mëdha të çmimeve në vitin 2022, shumë vende vijojnë të përballen me çmime të larta dhe sfida në përballueshmërinë e ushqimit për familjet.























