Konferenca Ndërkombëtare e Fizioterapisë do të mbledhë mbi 700 pjesëmarrës
BKT
Shëndetësi

Konferenca Ndërkombëtare e Fizioterapisë do të mbledhë mbi 700 pjesëmarrës

Kimete Kasumi/ RTKlive

Konferenca e IV-të Ndërkombëtare e Fizioterapisë në Kosovë do të mbahet më 16 maj (e shtunë), ndërsa pritet të mbledhë mbi 700 pjesëmarrës vendorë dhe ndërkombëtarë.

Kryetari i Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës, Feim Gashi, dhe kryetari i Edukimit të Vazhdueshëm Profesional brenda Odës, Zheralldin Durguti, folën për organizimin e kësaj konference në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

Këtë vit, konferenca merr një rëndësi të veçantë pasi organizohet në kuadër të 10-vjetorit të themelimit të Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës.

Gashi tha se konferenca ka për qëllim avancimin e edukimit të vazhdueshëm profesional për fizioterapeutët dhe shkëmbimin e përvojave me ekspertë nga rajoni dhe bota.

“Mbi 700 është numri i pjesëmarrësve, të gjithë fizioterapeutë. Numri total i fizioterapeutëve të licencuar në Odën e Fizioterapeutëve të Kosovës ka arritur në 1300. Ky është një numër relativisht i mirë, duke pasur parasysh fillimet tona. Është shumë e rëndësishme të cekim se po shënojmë edhe 10-vjetorin e bartjes së kompetencave nga Ministria e Shëndetësisë tek odat profesionale. Në fillim kemi qenë një numër shumë i vogël, ndërsa sot jemi një komunitet jashtëzakonisht i madh”, pohoi Gashi.

Ai theksoi se rëndësia e fizioterapisë po kuptohet çdo ditë e më shumë nga qytetarët dhe pacientët.

“Fizioterapia nuk përdor barna apo medikamente, por trajton dhe ndihmon shërimin përmes ushtrimeve, manipulimeve dhe procedurave fizioterapeutike. Kushdo që e provon fizioterapinë e kupton rëndësinë e saj”, theksoi ai.

Tema qendrore e konferencës sivjet është roli i fizioterapisë tek sëmundjet kardiorespiratore. Sipas Durgutit, kjo temë është zgjedhur për shkak të rëndësisë globale dhe përhapjes së madhe të këtyre sëmundjeve, të cilat shkaktojnë mortalitet të lartë tek pacientët.

“Qëllimi është të tregojmë rolin dhe efektin e fizioterapisë tek pacientët me probleme kardiorespiratore, sidomos në gjendjet post-operative dhe gjatë rehabilitimit”, tha Durguti.

Gjatë intervistës u diskutua edhe për nënshkrimin e udhëzimit administrativ që mundëson ofrimin e shërbimeve të fizioterapisë edhe në nivelin primar shëndetësor.

Gashi e cilësoi këtë si një hap shumë të rëndësishëm për lehtësimin e qasjes së pacientëve në shërbimet fizioterapeutike.


MË SHUME NGA Shëndetësi