Xi takon drejtuesit e kompanive amerikane pas bisedimeve me Trump
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, është takuar me drejtues të lartë të bizneseve amerikane, menjëherë pas takimit dypalësh dyorësh me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Gjatë këtij takimi, Xi ka deklaruar se “dera e Kinës do të hapet edhe më shumë” për kompanitë amerikane, duke shtuar se ato do të kenë mundësi më të gjera për zhvillim në tregun kinez.
Ai theksoi se kompanitë amerikane kanë qenë thellësisht të përfshira në rritjen ekonomike të Kinës dhe se kjo ka sjellë përfitime për të dyja palët. Sipas mediave shtetërore kineze, Pekini mirëpret forcimin e bashkëpunimit reciprok me SHBA-në, raporton BBC.
Në delegacionin amerikan që shoqëron Trump bëjnë pjesë mbi një duzinë drejtuesish të kompanive të mëdha, përfshirë Jensen Huang të Nvidia dhe Tim Cook të Apple, çka ka rritur pritshmëritë për marrëveshje të reja ekonomike.
Ndërkohë, presidenti amerikan ka shtyrë përpara kërkesën që Kina të rrisë importin e produkteve amerikane.























