Tensionet SHBA-Iran godasin kriptot, Bitcoin bie ndjeshëm
BKT
Ekonomi

Tensionet SHBA-Iran godasin kriptot, Bitcoin bie ndjeshëm

Sh.Ç/RTKlive

Tensionet gjeopolitike mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë shkaktuar lëkundje të forta në tregjet financiare globale, duke goditur edhe tregun e kriptomonedhave. Reagimi erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi Iranin se “ora po ecën”, deklaratë që rriti frikën për përshkallëzim të situatës në Lindjen e Mesme.

Si pasojë, investitorët u tërhoqën nga asetet me rrezik, ndërsa çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit përkohësisht mbi 112 dollarë për fuçi. Në të njëjtën kohë, kontratat futures të aksioneve amerikane regjistruan humbje të ndjeshme.

Edhe tregu i kriptomonedhave u përball me presion të fortë shitës. Bitcoin ra me 2.4 për qind, duke zbritur në rreth 76,500 dollarë, ndërsa Ethereum humbi 3.5 për qind dhe preku nivelin më të ulët që nga fundi i prillit, rreth 2,116 dollarë.

Altkoin-et u goditën edhe më rëndë. Bitcoin Cash pësoi rënie prej 10 për qind, ndërsa Dogecoin humbi 4.5 për qind të vlerës. Megjithatë, disa projekte si THORChain dhe Kaia arritën t’i rezistojnë trendit negativ të tregut.

Analistët vlerësojnë se rritja e pasigurisë globale po shtyn investitorët drejt aseteve më të sigurta, ndërsa tregu i kriptomonedhave mbetet shumë i ndjeshëm ndaj zhvillimeve politike dhe ekonomike ndërkombëtare.

Bitcoin, kriptomonedha më e madhe në botë, funksionon mbi teknologjinë blockchain dhe u krijua në vitin 2009 nga personi ose grupi i njohur me emrin Satoshi Nakamoto.


MË SHUME NGA Ekonomi