Ekonomia e kujdesit kërkon më shumë investime
Sh.Ç/RTKlive
Ekonomia e kujdesit në Kosovë mbetet e nënfinancuar dhe e fragmentuar, ndërsa gratë vazhdojnë të mbajnë barrën kryesore të punës së papaguar në familje. Kjo u theksua në konferencën përmbyllëse të projektit “TransformCare”, ku u prezantuan gjetjet e një raporti që kërkon reforma dhe investime më të mëdha në sektorin e kujdesit për të nxitur barazinë gjinore dhe zhvillimin ekonomik.
Drejtoresha ekzekutive e QKSGj-së, Luljeta Demolli, tha se raporti ofron indikatorë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe nënvizoi nevojën për reforma të thella në sektorin e kujdesit.
“Kosova ka një infrastrukturë, por shumë të ndarë dhe jo atë që do të duhej ta kishte në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Barra e kujdesit vazhdon të rëndojë mbi gratë, të cilat janë të angazhuara në mënyrë disproporcionale në kujdesin për familjen, të moshuarit dhe fëmijët. Për neve është tepër e rëndësishme të kemi reformë”, tha Demolli.
Shefja e zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi-Nushi, theksoi se ekonomia e kujdesit duhet parë si mundësi për investime publike dhe zhvillim ekonomik.
“Ekonomia e kujdesit duhet të shihet si mundësi investimi publik për zhvillim ekonomik. Është moment i rëndësishëm që të krijohet një sistem dhe strukturë që do të ndihmojë në adresimin e kujdesit si një mundësi e re zhvillimi”, deklaroi ajo.
Ndërkaq, koordinatori për zhvillim i OKB-së në Kosovë, Stephen O’Malley, e vlerësoi raportin si një dokument të rëndësishëm strategjik.
“Modeli aktual i ofrimit të kujdesit në Kosovë mbetet i ankoruar në një paradigmë të mirëqenies sociale, ku shërbimet e kujdesit trajtohen si ndërhyrje për zvogëlimin e cenueshmërisë dhe jo si investime strategjike në zhvillimin ekonomik dhe kapitalin njerëzor”, tha O’Malley.
Sipas hulumtueses së QKSGj-së, Lavdi Zymberi, gratë në Kosovë kryejnë 65 deri në 75 për qind të punës së papaguar të kujdesit dhe të punëve të shtëpisë.
“Mesatarisht gratë kalojnë 4.9 orë në ditë në punë të papaguar kujdesi, ose 44 për qind më shumë se burrat. Në total ato kalojnë 2,263 orë në vit, krahasuar me 1,314 orë të burrave”, tha Zymberi.
Raporti evidenton se sistemi i kujdesit mbetet pjesërisht funksional për shkak të mungesës së financimit, mosplotësimit të akteve nënligjore dhe zbatimit të dobët të legjislacionit ekzistues.
Gjithashtu, shërbimet për kujdesin ndaj fëmijëve dhe të moshuarve vlerësohen si të pamjaftueshme dhe nën standardet evropiane.
Zëvendësministri në detyrë në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Agon Dobruna, tha se në programin e ardhshëm qeverisës parashihen investime në strehimore, banim të përballueshëm dhe banim social për familjet në nevojë.
“Do të vazhdojmë me krijimin e strehimoreve dhe me projektet e banimit të përballueshëm, sepse konsiderojmë se aspekti financiar nuk duhet të jetë pengesë për krijimin e familjeve të reja”, tha Dobruna.























