Nagelsmann tregon se çfarë do të bëjë nëse Gjermania fiton Botërorin 2026
BKT
Botërori 2026

Nagelsmann tregon se çfarë do të bëjë nëse Gjermania fiton Botërorin 2026

F.B/RTKLive

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka bërë një premtim interesant para Kupës së Botës 2026, duke thënë me shaka se do të bëjë tatuazh nëse “Pancerët” arrijnë ta fitojnë Botërorin 2026 që nis më 11 qershor.

Gjithçka nisi gjatë publikimit të listës së kombëtares gjermane, kur trajneri 38-vjeçar foli për një marrëveshje të veçantë me mbrojtësin David Raum, i njohur për numrin e madh të tatuazheve në trupin e tij.

“Ajo që më tremb më shumë është një tatuazh i përbashkët nëse fitojmë Kupën e Botës. Jo sepse kam frikë nga tatuazhet, por sepse nuk mendoj se do të gjejmë hapësirë të mjaftueshme tek ti”, deklaroi Nagelsmann me humor, sipas “Bild”, transmeton RTKLive.

Deklarata e trajnerit gjerman mori menjëherë reagim nga David Raum, i cili tha se gjithmonë do të ketë vend për një tatuazh tjetër dhe se Nagelsmann tashmë nuk mund të tërhiqet nga premtimi.

“Gjithmonë ka vend të lirë. Nuk kemi folur ende për motivin, por pasi Juliani e tha publikisht, tani nuk mund të shpëtojë nëse e fitojmë Botërorin. Për mua do të ishte diçka shumë e bukur”, u shpreh mbrojtësi i RB Leipzig.

Raum shtoi se do të dëshironte të ishte prezent kur trajneri të realizonte tatuazhin, ndërsa theksoi se motivin mund ta zgjedhë vetë Nagelsmann.

Pavarësisht atmosferës pozitive dhe shakave në kampin gjerman, ambiciet e “Pancerëve” mbeten shumë serioze. Raum deklaroi se objektivi i vetëm i Gjermanisë në Botërorin 2026 është fitimi i trofeut.

“Kur marr pjesë në një turne, dua ta fitoj. Nëse hyn në një garë me synimin vetëm për të arritur gjysmëfinalen, atëherë kjo është qasje e gabuar. Ne duam të shkojmë deri në fund dhe të bëhemi kampionë bote”, theksoi ai.


MË SHUME NGA Botërori 2026