Rice: Ky është grupi më i mirë prej shumë vitesh, do të rikthehemi
BKT
Botërori 2026

Rice: Ky është grupi më i mirë prej shumë vitesh, do të rikthehemi

F.B/RTKLive

Declan Rice ka mbështetur Kombëtaren e Anglisë pas eliminimit në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, duke insistuar se ky brez lojtarësh ka potencialin për të sjellë trofe madhor në të ardhmen.

“Tre Luanët” u eliminuan nga Argjentina pas humbjes 2-1 në gjysmëfinale, duke humbur edhe një mundësi tjetër për të fituar një trofe që mungon që nga viti 1966. Pavarësisht zhgënjimit, Anglia ka pasur një periudhë të suksesshme në turnetë e fundit, me dy finale të Kampionatit Evropian, dy gjysmëfinale të Botërorit dhe një çerekfinale në pesë kompeticionet e fundit madhore.

Mesfushori dhe zëvendëskapiteni i Anglisë, Declan Rice, vlerësoi cilësinë e skuadrës dhe tha se diferencat e vogla vendosën fatin e përballjes me Argjentinën.

“Ky është grupi më i mirë i Anglisë prej shumë kohësh. Askush nuk mund ta mohojë këtë. Mund të jemi krenarë për atë që kemi arritur, edhe pse jemi të zhgënjyer që humbëm në gjysmëfinale”, tha Rice.

Ai pranoi se lojtarët janë lodhur duke u kënaqur vetëm me arritjen në fazat e fundit të turneve dhe kërkojnë më shumë.

“Jemi lodhur duke thënë se jemi krenarë për gjysmëfinalet dhe çerekfinalet. Në fund, duam të fitojmë me Anglinë. Megjithatë, të përfundosh të tretët në këtë turne është një arritje e madhe”, theksoi ai.

Ylli i Arsenalit beson se Anglia është shumë pranë suksesit të madh dhe se duhet të vazhdojë të punojë.

“Jemi shumë afër. Kemi dëgjuar shumë kritika për këtë grup gjatë viteve të fundit, por kemi arritur në gjysmëfinale, finale dhe çerekfinale. Duhet të vazhdojmë përpara. Në futboll vendosin detajet e vogla dhe kundër Argjentinës humbëm pikërisht në ato momente”, pohoi ai.

Anglia do të rikthehet në aksion në muajin shtator, ku në kuadër të UEFA Nations League do të përballet me kampionen e re të botës, Spanjën, si dhe me Çekinë.


MË SHUME NGA Botërori 2026