Neuer synon të rimarrë rekordin historik në Kupën e Botës
Sh.Çoçaj/RTKlive
Manuel Neuer është pranë rikthimit në krye të listës së portierëve me më së shumti paraqitje në historinë e Kupës së Botës.
Portieri gjerman kishte vendosur rekordin në dhjetor të vitit 2022, kur luajti ndeshjen e tij të 19-të në Botëror në fitoren 4:2 të Gjermanisë ndaj Kosta Rikës. Megjithatë, rekordi i tij zgjati vetëm pak javë, pasi francezi Hugo Lloris e kaloi atë duke arritur në 20 paraqitje gjatë rrugëtimit të Francës deri në finalen e Katarit.
Pas atij turneu, Lloris u tërhoq nga kombëtarja franceze, ndërsa edhe Neuer kishte njoftuar fundin e karrierës ndërkombëtare. Megjithatë, veterani gjerman vendosi të rikthehet dhe do të jetë portieri titullar i Gjermanisë në Botërorin e ardhshëm.
Për Neuerin, pjesëmarrja në këtë turne do të jetë e pesta në karrierë, duke barazuar rekordin e legjendës gjermane Lothar Matthäus për numrin e pjesëmarrjeve në Kupat e Botës.
Aktualisht 40-vjeçari ka 19 paraqitje në Botëror dhe i nevojiten vetëm dy ndeshje për ta kaluar sërish Llorisin dhe për t'u bërë portieri me më së shumti ndeshje në historinë e kompeticionit.
Nëse Gjermania arrin të kalojë fazën grupore, Neuer mund të ngjitet edhe në listën e futbollistëve gjermanë me më shumë paraqitje në Kupën e Botës. Bastian Schweinsteiger dhe Philipp Lahm kanë nga 20 ndeshje secili, Uwe Seeler 21, Miroslav Klose 24, ndërsa rekordin e mban Lothar Matthäus me 25 paraqitje.
Për ta kaluar Matthäusin, Gjermania duhet të arrijë të paktën deri në çerekfinale.
Edhe në statistikat e minutave të luajtura, Neuer ka mundësi të avancojë. Ai ka grumbulluar 1770 minuta në Botëror, ndërsa Matthäus kryeson me 2044 minuta. Klose, Lahm dhe Seeler renditen mes tyre në këtë kategori.
Përveç rekordeve personale, Neuer mbetet një nga figurat kyçe të përfaqësueses gjermane. Përvoja dhe cilësitë e tij pritet të luajnë rol të rëndësishëm në përpjekjen e Gjermanisë për t'u rikthyer mes skuadrave më të forta të futbollit botëror.
Ndërkohë, gara për rekorde individuale në Kupën e Botës mbetet e hapur edhe për emra të tjerë të mëdhenj të futbollit si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe Luka Modrić, të cilët mund të përmirësojnë statistikat e tyre varësisht nga ecuria në turne.























