Arbitri somalez u prit si hero, iu ndalua hyrja në SHBA
Sh.Çoçaj/RTKlive
Arbitri somalez Omar Artan është pritur me nderime të mëdha në Mogadishu, pasi iu mohua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe humbi mundësinë për të qenë pjesë e Kupës së Botës.
Qindra qytetarë, përkrahës dhe zyrtarë dolën në aeroportin e kryeqytetit somalez për ta mirëpritur arbitrin, i cili konsiderohet një nga gjyqtarët më të vlerësuar në futbollin afrikan.
Artan ishte përzgjedhur nga FIFA për të marrë pjesë në Botëror, duke qenë pranë realizimit të një momenti historik si arbitri i parë nga Somalia që do të drejtonte ndeshje në kampionatin botëror. Megjithatë, ai nuk arriti të udhëtonte drejt SHBA-së për shkak të kufizimeve të hyrjes që prekin edhe Somalinë. Si pasojë, FIFA e hoqi nga lista e gjyqtarëve të turneut.
Pavarësisht zhgënjimit, Artan u shfaq optimist gjatë pritjes në Mogadishu, duke shprehur bindjen se ëndrra e tij nuk ka përfunduar.
“Ju premtoj se, me vullnetin e Zotit, do të jem pjesë e Botërorit të ardhshëm”, deklaroi ai para turmës së mbledhur, e cila valëviste flamujt kombëtarë të Somalisë.
Rasti i tij ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare, pasi vendimi i autoriteteve amerikane për të mos lejuar hyrjen e një arbitri të emëruar nga FIFA ka nxitur reagime të shumta. Somalia është ndër vendet që përballen me kufizime të veçanta të udhëtimit drejt SHBA-së.
Në fjalimin e tij, Artan u bëri thirrje të rinjve somalezë të ruajnë krenarinë për identitetin dhe shtetin e tyre.
“Ne kemi përgjegjësi ta mbrojmë emrin e Somalisë. Ky është vendi ynë, flamuri ynë dhe pasaporta jonë. Duhet të jemi krenarë për to”, tha ai.
Pritja madhështore për Artanin dëshmoi mbështetjen e madhe që ai gëzon në vendin e tij, ku konsiderohet simbol i përkushtimit dhe suksesit në arenën ndërkombëtare.























