Stuhitë dhe moti i paqëndrueshëm, sfidë serioze për Botërorin 2026
F.B/RTKLive
Kushtet e pafavorshme atmosferike po konsiderohen si një nga sfidat më të mëdha për organizatorët e garave të mëdha të futbollit, përfshirë edhe Kupën e Botës.
Përvoja e fundit ka treguar se stuhitë dhe aktiviteti i lartë elektrik në atmosferë mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin normal të ndeshjeve.
Gjatë Kupës së Botës për Klube, moti i keq shkaktoi ndërprerje dhe shtyrje të shumta, me gjithsej gjashtë ndeshje që u vonuan për shkak të rrezikut nga rrufetë.
Vonesa më e gjatë u regjistrua në takimin mes Benficas dhe Auckland Cityt, i cili u ndërpre për më shumë se dy orë. Ndërkohë, ndeshja Pachuca – Salzburg u shty për një orë e 40 minuta.
Po ashtu, ndërprerje prej rreth një ore pati në sfidat Ulsan – Mamelodi Sundoëns dhe Boca Juniors – Auckland City. Edhe përballja Palmeiras – Al Ahly u pezullua për 45 minuta për shkak të kushteve atmosferike.
Rregullorja e FIFA-s në raste të tilla është e qartë: nëse konstatohet rrufe brenda një rrezeje prej 13 kilometrash nga stadiumi, ndeshja ndërpritet menjëherë për arsye sigurie.
Gjatë kësaj kohe, tifozët largohen nga tribunat, ndërsa futbollistët dhe stafet teknike strehohen në dhomat e zhveshjes. Loja mund të rifillojë vetëm pasi të kenë kaluar të paktën 30 minuta pa u regjistruar aktivitet i ri i rrufeve në zonën përreth stadiumit.
Kjo situatë ka ngritur shqetësime se moti i paqëndrueshëm mund të ndikojë ndjeshëm edhe në garat e ardhshme, duke paraqitur një sfidë të vazhdueshme për organizatorët dhe ekipet pjesëmarrëse.























