‘The Guardian’: Bellingham tregon pse do të jetë kyç kundër Kroacisë
F.B/RTKLive
Jude Bellingham ka bërë paraqitje mbresëlënëse në fitoren 3-0 të Anglisë ndaj Kosta Rikës, duke forcuar kandidaturën e tij për një vend në formacionin titullar në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës kundër Kroacisë.
Sipas “The Guardian”, mesfushori i Real Madridit ishte një nga figurat kryesore të sfidës së zhvilluar në Orlando, duke treguar jo vetëm cilësitë e tij teknike, por edhe përkushtimin në fazën mbrojtëse – një aspekt që trajneri Thomas Tuchel e vlerëson veçanërisht.
Që në sekondat e para të ndeshjes, Bellingham vendosi tonin e lojës me presion të lartë ndaj portierit kundërshtar, duke demonstruar gatishmërinë për të kryer detyrat që kërkon trajneri gjerman. Pikërisht ky angazhim pa top konsiderohet si një nga arsyet kryesore pse ai mund të nisë nga minuta e parë ndaj Kroacisë më 17 qershor në Dallas.
Anglia siguroi fitoren falë golave të Declan Rice, Anthony Gordon dhe Ollie Ëatkins, ndërsa paraqitja kolektive la përshtypje pozitive para nisjes së aventurës në Botërorin 2026.
“The Guardian” thekson se Tuchel kishte shprehur pakënaqësi pas ndeshjes së mëparshme ndaj Zelandës së Re për mungesën e disiplinës taktike, por kundër Kosta Rikës skuadra u shfaq më e organizuar dhe më e qartë në lëvizjet e saj.
Një nga aspektet më inkurajuese ishte edhe bashkëpunimi mes Bellingham dhe Harry Kane. Dy yjet anglezë treguan një lidhje më të mirë në sulm krahasuar me turnetë e mëparshëm, duke krijuar disa aksione të rrezikshme dhe duke dhënë sinjale pozitive për vazhdimësinë e kompeticionit.
Bellingham ishte aktiv gjatë gjithë ndeshjes, duke kontribuar në organizimin e lojës, në presionin ndaj kundërshtarit dhe në krijimin e rasteve. Pas daljes së Kane nga loja, ai mori edhe shiritin e kapitenit, ndërsa më pas realizoi një aksion individual të shkëlqyer që çoi në penalltinë nga e cila Gordon shënoi golin e dytë.
Me një paraqitje të kompletuar në të dyja fazat e lojës, 22-vjeçari duket se i ka dhënë Thomas Tuchelit argumentet e nevojshme për ta përfshirë në formacionin startues në përballjen e rëndësishme ndaj Kroacisë.
Anglia e nis rrugëtimin në Kupën e Botës 2026 me ambicie të mëdha, ndërsa Bellingham pritet të jetë një nga figurat kyçe në përpjekjen për të shkuar sa më larg në turne.























