Meksika e nis Botërorin 2026 me fitore ndaj Afrikës së Jugut
BKT
Botërori 2026

Meksika e nis Botërorin 2026 me fitore ndaj Afrikës së Jugut

Uran Krasniqi / RTKLive

(E plotësuar, 23:03) - Meksika e ka nisur me fitore Kampionatin Botëror 2026, pasi të enjten mbrëma e ka mposhtur Afrikën e Jugut me rezultat 2:0 në stadiumin “Azteca” në Mexico City.

Vendasit kanë kaluar në epërsi që në minutën e nëntë. Julian Quinones ka përfituar nga një gabim i madh i mbrojtjes së Afrikës së Jugut dhe e ka dërguar topin në rrjetë për 1:0.

Pjesa e parë është mbyllur me këtë rezultat. 

Për Afrikën e Jugut situata është vështirësuar edhe më shumë në fillim të pjesës së dytë. Në minutën e dyzet e nëntë, Yaya Sithole është ndëshkuar me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër ndaj kundërshtarit, duke e lënë ekipin e tij me një lojtar më pak në fushë.

Meksikanët e kanë shfrytëzuar epërsinë numerike dhe në minutën e gjashtëdhjetë e shtatë e kanë realizuar edhe golin e dytë. Roberto Alvarado ka harkuar në zonë, ndërsa Raul Jimenez ka shënuar me kokë për rezultatin përfundimtar 2:0.

Vështirësitë e Afrikës së Jugut janë shtuar edhe më shumë në minutën e tetëdhjetë e katërt kur Themba Zwane është ndëshkuar me karton të kuq direkt pas një përplasje me Alvarado.

Në kohën shtesë edhe Meksika ka mbetur me dhjetë lojtarë, pasi Cesar Montes është ndëshkuar me karton të kuq për shkak të një ndërhyerje të palejueshme, por ka qenë shumë vonë që afrikanët të bëjnë diçka. 

Kjo ndeshje i ka takuar Grupit A të Botërorit 2026. Në të njëjtin grup bëjnë pjesë edhe Republika Çeke dhe Koreja e Jugut, të cilat do të përballen në orët e hershme të së premtes.

Për publikun në Kosovë, ndeshjet e Kampionatit Botëror 2026 transmetohen nga RTK në bashkëpunim me TV Vala.

Meksika në epërsi ndaj Afrikës së Jugut pas pjesës së parë

Meksika ka mbyllur pjesën e parë në epërsi 1:0 ndaj Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse të Kampionatit Botëror 2026.

Goli i vetëm i dyzet e pesë minutave të para është shënuar në minutën e nëntë nga Julian Quinones, i cili ka përfituar nga një gabim i mbrojtjes kundërshtare dhe e ka dërguar topin në rrjetë nga afërsia.

Meksikanët e kanë nisur më mirë ndeshjen dhe që në minutën e katërt kanë krijuar një rast të rrezikshëm, kur Brian Gutierrez ka ekzekutuar një goditje dënimi, por topi është larguar nga mbrojtja e Afrikës së Jugut.

Skuadra vendase ka vazhduar të jetë më kërkuese gjatë pjesës së parë dhe i është afruar golit të dytë në minutën e dyzet e dytë, kur sërish Quinones ka provuar brenda zonës, por goditja e tij është përplasur në shtyllën e djathtë.

Megjithatë në dispozicion të skuadrave është edhe pjesa e dytë dhe rezultati mund të ndryshojë. 

 Nis ndeshja hapëse e Botërorit 2026 mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut

Ka nisur ndeshja mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, me të cilën është hapur zyrtarisht Kampionati Botëror 2026.

Kjo ndeshje i përket Grupit A, ku bëjnë pjesë edhe Republika Çeke dhe Koreja e Jugut. Dy kombëtaret e tjera të grupit do të përballen me njëra-tjetrën gjatë ditës së nesërme.

Para fillimit të ndeshjes, Botërori është hapur me një ceremoni zyrtare madhështore, e cila ka sjellë muzikë, vallëzim dhe spektakël për tifozët në stadium dhe shikuesit anembanë botës.

Për publikun në Kosovë, ndeshjet e Kampionatit Botëror 2026 do të transmetohen nga RTK, në bashkëpunim me TV Vala. 


MË SHUME NGA Botërori 2026