Katari ndal Zvicrën me gol në minutat shtesë
Uran Krasniqi / RTKLive
(E plotësuar, 23: 13) - Katari ka siguruar pikën e parë në historinë e tij në një Kampionat Botëror, pasi ka barazuar 1:1 ndaj Zvicrës në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2026.
Skuadra e drejtuar nga Julen Lopetegui e ka nisur takimin me shumë guxim dhe ka qenë pranë golit që në minutat e para. Edmilson Junior ka përfituar nga një gabim i Manuel Akanji dhe ka dalur i vetëm përballë portierit, por Gregor Kobel ka reaguar në mënyrë vendimtare për ta shpëtuar Zvicrën.
Zviceranët janë kundërpërgjigjur shpejt me Dan Ndoyen, por portieri Mahmoud Abunada ka qenë në lartësinë e detyrës. Presioni i Zvicrës ka vazhduar dhe është shpërblyer në minutën e shtatëmbëdhjetë, kur Remo Freuler është penguar në zonë nga Abunada. Gjyqtari ka akorduar penallti, ndërsa Breel Embolo ka realizuar me qetësi për epërsinë 1:0, duke shënuar golin e tij të njëzet e pestë me fanellën e kombëtares.
Deri në fund të pjesës së parë, Zvicra ka krijuar edhe disa raste të mira për të dyfishuar rezultatin. Dan Ndoye ka qenë disa herë pranë golit, ndërsa një goditje e Michel Aebischer është larguar nga vija fatale nga Pedro Miguel, duke mbajtur Katarin në lojë.
Edhe në pjesën e dytë, skuadra e Murat Yakinit e ka dominuar posedimin dhe rastet. Granit Xhaka e ka provuar nga distanca, Ruben Vargas është ndalur nga Abunada, ndërsa Embolo e ka humbur një mundësi të mirë nga afërsia.
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt fitores së Zvicrës, Katari ka goditur në momentin më të rëndësishëm. Në minutën e katërt shtesë, kapiteni Boualem Khoukhi është gjendur më së miri në zonë dhe me kokë e ka dërguar topin në rrjetë pas një krosimi të Homan Al Amin.
Goli i vonshëm e ka vulosur rezultatin përfundimtar 1:1 dhe i ka sjellë Katarit një pikë historike, të parën ndonjëherë në një fazë finale të Kampionatit Botëror.
Nga ana tjetër, Zvicra mund të pendohet për rastet e shumta të humbura që nuk e kanë lejuar ta mbyllte ndeshjen më herët.
Zvicra në epërsi ndaj Katarit pas pjesës së parë
Kombëtarja e Zvicrës ka mbyllur pjesën e parë me avantazh 1:0 ndaj Katarit.
Katari ka qenë ekipi që ka rrezikuar i pari. Në minutën e dytë, Edmilson Junior ka depërtuar në zonë dhe ka gjuajtur nga afër, por portieri zviceran Gregor Kobel e ka mbajtur portën të paprekur.
Zvicra është kundërpërgjigjur në minutën e gjashtë me Dan Ndoye, i cili e ka pranuar një top brenda zonës dhe ka gjuajtur drejt shtyllës së majtë, por portieri Mahmoud Abunada ka bërë një pritje të mirë.
Momenti vendimtar i pjesës së parë erdhi në minutën e gjashtëmbëdhjetë. Pas një ndërhyrjeje në zonë, gjyqtari Said Martinez e ka konsultuar sistemin VAR dhe ka konfirmuar vendimin për penallti në favor të Zvicrës. Në të njëjtën kohë, portieri i Katarit, Mahmoud Abunada, është ndëshkuae me karton të verdhë. Një minutë më vonë, Breel Embolo është treguae i saktë nga pika e bardhë. Sulmuesi zviceran e ka pritur lëvizjen e portierit dhe e dërgoi topin në rrjetë për epërsinë 1:0.
Megjithatë në dispozicion të skuadrave është edhe pjesa e dytë dhe rezultati mund të ndryshohet.























