Holanda dhe Japonia ndahen në barazim dramatik
Uran Krasniqi/RTKLive
(E plotësuar, 24:06) - Ndeshja mes Holandës dhe Japonisë ka përfunduar me rezultat 2-2, duke dhuruar një nga përballjet më interesante të fazës së grupeve të Botërorit 2026 deri më tani.
Japonia ka arritur të rikthehet dy herë në rezultat ndaj një Holande që e ka dominuar pjesën më të madhe të lojës, por nuk ka arritur ta ruajë epërsinë.
Pjesa e parë është mbyllur pa gola, por Holanda ka qenë skuadra më kërkuese. Donyell Malen ka humbur një rast të artë që në fillim, ndërsa më vonë portieri japonez ka bërë disa ndërhyrje të rëndësishme për ta mbajtur rezultatin 0-0. Edhe Japonia ka pasur momentet e saj me Keito Nakamura dhe Ayase Ueda, duke treguar se mund të rrezikonte në kundërsulme.
Pas pushimit, holandezët kanë kaluar në epërsi përmes Virgil van Dijk, i cili ka shënuar me kokë pas një aksioni të ndërtuar mirë. Megjithatë, Japonia ka reaguar shpejt dhee ka barazuar me Keito Nakamuran, duke dëshmuar edhe një herë disiplinën dhe shpejtësinë e saj në tranzicion.
Holanda e ka rikthyer avantazhin me Summerville, por japonezët nuk janë dorëzuar. Në minutat e mbetura ata kanë vazhduar të ushtrojnë presion dhe kanë arritur ta gjejnë golin e dytë me Kamada, duke siguruar një pikë shumë të vlefshme në garën për kualifikim.
Holanda dhe Japonia e mbyllin pa gola pjesën e parë
Holanda e ka dominuar Japoninë në pjesën e parë të ndeshjes së parë të Grupit F në Kampionatin Botëror, por pavarësisht rasteve të shumta të krijuara, rezultati pas dyzet e pesë minutave ka mbetur 0:0.
Holandezët kanë rrezikuar që në minutën e tretë, kur Donyell Malen është gjendur në një pozitë ideale pranë portës, por goditja e tij është ndalur nga një pritje e portierit japonez.
Malen ka qenë sërish i rrezikshëm në minutën e tridhjetë e katërt, kur pas një goditje me kokë nga një këndore ka tentuar ta gjejë rrjetën, por portieri i Japonisë sërish ka reaguar me siguri.
Megjithatë, edhe Japonia e ka pasur momentet e saj. Në minutën e dyzet e tretë, Keito Nakamura ka shpërdoruar një mundësi të mirë pas një krosimi të saktë brenda zonës, duke goditur jashtë portës. Dy minuta më vonë, Ayase Ueda e ka provuar me një volej nga afër, por topi ka përfunduar pak pranë shtyllës së djathtë.
Në dispozicion të skuadrave është edhe pjesa e dytë dhe rezultati mund të ndryshojë.























