Suedia e nis furishëm, deklason Tunizinë
BKT
Botërori 2026

Suedia e nis furishëm, deklason Tunizinë

F.B/RTKLive

Suedia e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e saj në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur bindshëm Tunizinë me rezultatin 5-1 në ndeshjen e parë të Grupit F.

Me këtë fitore, suedezët e zgjasin në pesë numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje në debutimet e tyre në Botëror.

Skuadra e drejtuar nga Graham Potter tregoi që në fillim se ishte gati për sfidën, duke kaluar në epërsi të dyfishtë brenda gjysmë ore lojë. Goli i parë erdhi pas një gabimi të portierit tunizian Mouhib Chamakh, i cili vlerësoi gabimisht një top të gjatë të Victor Lindelof. Edhe pse tentativa fillestare e Viktor Gyökeres u bllokua, Yasin Ayari përfitoi nga situata dhe realizoi nga rreth 25 metra në portën e boshatisur.

Vetëm pak minuta më vonë, Suedia goditi sërish. Pas një kombinimi të bukur me Gyökeres, Alexander Isak u gjend përballë portierit dhe realizoi me qetësi për 2-0.

Tunizia nuk u dorëzua dhe arriti të rikthehej në lojë pak para pushimit. Omar Rekik shmangu mbulimin e mbrojtësve suedezë dhe shënoi me kokë pas një krosimi të saktë nga Hannibal Mejbri, duke ngushtuar shifrat në 2-1.

Megjithatë, çdo shpresë për rikthim u shua në pjesën e dytë. Në minutën e 60-të, Alexander Isak përfitoi nga një gabim i kapitenit tunizian Ellyes Skhiri dhe asistoi për Viktor Gyökeres, i cili realizoi golin e tretë për Suedinë. Sulmuesi vazhdon formën e jashtëzakonshme, duke shënuar golin e tij të 15-të në 16 ndeshjet e fundit me kombëtaren.

Tunizia tentoi të reagojë në minutat e mbetura, me Hannibal Mejbri që krijoi disa situata të rrezikshme, por në fund ishin suedezët ata që vulosën triumfin me dy gola të tjerë. Mattias Svanberg shënoi për 4-1 pas një aksioni të bukur brenda zonës, ndërsa Yasin Ayari kompletoi dopietën personale me një goditje të fuqishme nga distanca për rezultatin përfundimtar 5-1.

Kjo fitore i jep Suedisë një shtysë të madhe përpara përballjes së vështirë ndaj Holandës në xhiron e ardhshme.

Nga ana tjetër, Tunizia përballet me një mision të vështirë për kualifikim, teksa në ndeshjen e radhës do të përballet me Japoninë.


MË SHUME NGA Botërori 2026