Punimet në Hemodializë, ndryshon organizimi i shërbimeve
Sh.Ç/RTKLive
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se, për shkak të punimeve renovuese që po zhvillohen në Qendrën e Hemodializës, pacientët e përfshirë në programin e hemodializës do të marrin shërbime përkohësisht në qendrat e hemodializës më të afërta me vendbanimin e tyre.
Sipas njoftimit të Klinikës së Nefrologjisë, ky organizim është bërë për të siguruar vazhdimësinë e trajtimit dhe për të ruajtur standardet e larta të kujdesit shëndetësor, pa ndërprerë ofrimin e shërbimeve për pacientët që kanë nevojë për hemodializë të rregullt.
“Kjo është bërë me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së trajtimit dhe ruajtjes së standardeve të larta të kujdesit shëndetësor, pa asnjë ndërprerje të shërbimeve për pacientët që kanë nevojë për hemodializë të rregullt”, thuhet në njoftimin e institucionit.
QKUK-ja bën të ditur se sistemimi i pacientëve në qendrat përkatëse është realizuar në bazë të planifikimit të stafit profesional dhe në koordinim me institucionet shëndetësore relevante, duke garantuar vazhdimin e trajtimit në mënyrë të sigurt dhe efikase.
Nga ky institucion është bërë e ditur se, pas përfundimit të punimeve renovuese dhe krijimit të kushteve optimale për ofrimin e shërbimeve, aktiviteti i hemodializës do të rikthehet në Qendrën e Hemodializës pranë QKUK-së.
Në fund të njoftimit, Klinika e Nefrologjisë ka shprehur mirënjohje për pacientët, familjarët dhe qytetarët për mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe besimin e treguar gjatë kësaj periudhe.























