Shearer dhe Cole kritikojnë Tuchel-in: Guehi nuk duhet të mbetet në stol
BKT
Botërori 2026

Shearer dhe Cole kritikojnë Tuchel-in: Guehi nuk duhet të mbetet në stol

F.B/RTKLive

Vendimi i mundshëm i Thomas Tuchelit për të lënë në stol Marc Guehin në ndeshjen hapëse të Anglisë në Kupën e Botës 2026 ka shkaktuar debat në mediat angleze, me legjendat Alan Shearer dhe Joe Cole që kanë shprehur hapur habinë e tyre.

Sipas medieve britanike, përzgjedhësi i Anglisë po mendon t’i besojë përvojës së John Stones në qendër të mbrojtjes, duke e rreshtuar atë përkrah Ezri Konsas në përballjen ndaj Kroacisë, ndërsa Guehi mund të mbetet jashtë formacionit titullar.

Ky skenar nuk është pritur mirë nga Shearer, i cili vlerëson se mbrojtësi i Crystal Palace meriton të jetë zgjedhja e parë.

“Nëse raportimet janë të sakta, duket se do të luajnë John Stones dhe Ezri Konsa, ndërsa Marc Guehi do të mbetet jashtë. Personalisht do të zgjidhja Guehin dhe Konsan, kryesisht për shkak të mungesës së minutave të Stones gjatë këtij sezoni. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe do të habitesha nëse Guehi nuk luan”, deklaroi ish-sulmuesi i Anglisë.

Të njëjtin mendim ndan edhe Joe Cole, i cili e konsideron Guehin si mbrojtësin më të mirë qendror që Anglia ka aktualisht në dispozicion.

“Për mua, Marc Guehi është qendërmbrojtësi numër një në këtë skuadër. John Stones është një futbollist fantastik dhe kur është në formën e tij më të mirë është mbrojtësi më i mirë i Anglisë. Por Guehi ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm dhe më duket e çuditshme që po flitet për mundësinë që ai të mos luajë”, u shpreh Cole.

Tuchel përballet me disa vendime të vështira përpara debutimit të tij në Botëror, teksa synon t’i japë fund pritjes së gjatë të Anglisë për një trofe madhor.

“Tre Luanët” nuk kanë fituar një kompeticion të madh që nga triumfi në Kupën e Botës në vitin 1966.

Anglia do të nisë fushatën e saj në Grupin L me sfidën ndaj Kroacisë, ndërsa në grup ndodhen edhe Gana dhe Panamaja. Formacioni zyrtar i Tuchelit do të zbulojë nëse ai do t’i besojë përvojës së Stones apo formës së shkëlqyer të Guehit.


MË SHUME NGA Botërori 2026