Nis rikonstruktimi i rrugës Arllat-Malishevë, 1.85 milionë euro investim
BKT
Ekonomi

Nis rikonstruktimi i rrugës Arllat-Malishevë, 1.85 milionë euro investim

E.Hoti/RTKlive

Kanë nisur punimet për rikonstruktimin e rrugës rajonale R110, në segmentin Arllat–Malishevë, një projekt infrastrukturor që lidh komunat e Drenasit dhe Malishevës dhe pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e qarkullimit rrugor dhe zhvillimin ekonomik të zonës.

Në ceremoninë e nisjes së punimeve, kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi rëndësinë e këtij projekti për banorët e zonës dhe për ekonominë lokale, duke nënvizuar se përmes rehabilitimit të këtij aksi do të përmirësohen kushtet e qarkullimit dhe siguria në trafik.

“ Bëhet fjalë për rikonstruktimin e rrugës rajonale R110, përkatësisht segmentit Arllat–Malishevë me gjatësi afër 11 kilometra e 800 metra. Ky segment nis në fshatin Arllat në nyjën lidhëse me rrugën nacionale N9 Prishtinë–Pejë, vazhdon përmes fshatrave Tërpezë e Ulët dhe e Lartë, pastaj Carrallukë dhe përfundon në hyrje të Malishevës te tranziti i vogël ku bëhet lidhja me rrugën rajonale R119 Kijevë–Malishevë, punimet për ndërtimin e së cilës i nisëm muajin e kaluar”, tha Kurti.

Sipas tij, projekti nuk kufizohet vetëm në asfaltimin e rrugës, por përfshin edhe ndërhyrje të rëndësishme infrastrukturore si ndërtimi i trotuareve në zonat e banuara, vendosja e stacioneve për autobusë dhe implementimi i sinjalizimit të plotë horizontal dhe vertikal, në përputhje me standardet evropiane të sigurisë rrugore.

“Me këtë investim do të lehtësohet qarkullimi i qytetarëve, do të rritet siguria në komunikacion dhe do të krijohen kushte më të favorshme për transportin e mallrave dhe zhvillimin ekonomik. Përfitues janë si qytetarët ashtu edhe bizneset”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se pas përfundimit të punimeve, rruga do të pajiset me vijëzim të plotë rrugor, tabela orientuese, shenja sinjalizuese dhe elemente reflektuese mbrojtëse, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë sidomos në pjesët urbane dhe zonat me qarkullim më të dendur.

Kurti deklaroi se vlera e kontratës është afër 1.85 milionë euro, ndërkaq afati për ndërtimin e rrugës është 150 ditë pune.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, theksoi se ky projekt është pjesë e një pakete më të gjerë investimesh në komunën e Malishevës, duke përmendur edhe punimet në aksin Kijevë–Malishevë.

Ai tha se vetëm brenda dy muajve, investimet në infrastrukturën rrugore në këtë komunë arrijnë mbi 4.2 milionë euro, ndërsa paralajmëroi se projekte të tjera janë në planifikim për periudhën në vijim.


MË SHUME NGA Ekonomi