Watkins: Rekordi i Kane flet vetë, Harry është unik
BKT
Botërori 2026

Watkins: Rekordi i Kane flet vetë, Harry është unik

F.B/RTKLive

Sulmuesi i Anglisë, Ollie Watkins, ka pranuar se nuk mund të kopjojë stilin e lojës së Harry Kane, por ka theksuar se është i gatshëm të luajë sërish rolin e “super-zëvendësuesit” në Kupën e Botës 2026.

Futbollisti i Aston Villas nuk u aktivizua në fitoren 4:2 të Anglisë ndaj Kroacisë në ndeshjen e parë të Grupit L, ndërsa Kane shkëlqeu me dy gola në triumfin e “Tre Luanëve”.

Duke folur nga kampi stërvitor i Anglisë në Kansas City, Watkins vlerësoi lart kapitenin e kombëtares angleze.

“Rekordi i tij me gola flet vetë. Nuk mendoj se mund të bëj atë që bën ai. Harry është unik. Ai e lexon lojën në mënyrë shumë inteligjente dhe ne kemi cilësi të ndryshme”, deklaroi Watkins.

Sulmuesi 30-vjeçar theksoi se përpiqet të përqendrohet te pikat e tij të forta dhe jo të imitojë lojtarë të tjerë.

“Unë qëndroj te ajo që di të bëj më mirë dhe nuk mundohem të kopjoj askënd”, shtoi ai.

Watkins ishte një nga heronjtë e Anglisë në Euro 2024, kur shënoi golin vendimtar në fitoren 2:1 ndaj Holandës në gjysmëfinale, pasi u inkuadrua nga stoli. Ai u aktivizua gjithashtu si zëvendësues në finalen e humbur ndaj Spanjës.

Sipas tij, hyrja në lojë gjatë pjesës së dytë shpesh mund të krijojë më shumë hapësira dhe mundësi për sulmuesit.

“Kur je në stol, mund ta analizosh ndeshjen. Në fund të takimit ka më shumë hapësira, lojtarët lodhen dhe humbin përqendrimin. Ndonjëherë është më mirë të futesh nga stoli sesa ta nisësh ndeshjen nga minuta e parë”, tha Watkins.

Ai zbuloi gjithashtu se ka marrë këshilla nga ish-sulmuesi i Anglisë, Michael Owen, i cili i ka sugjeruar të jetë më agresiv në fushë.

“Në fund të sezonit mendoj se kjo më ka ndihmuar shumë. Ndonjëherë kam qenë tepër i sjellshëm në fushë, ndërsa ai më tregoi se si mund të përmirësohesha në këtë aspekt”, u shpreh Watkins.

Anglia do ta zhvillojë ndeshjen e radhës në Grupin L të martën kundër Ganës në Boston, përpara se të përballet me Panamanë në takimin e fundit të fazës së grupeve. 


MË SHUME NGA Botërori 2026