Franca shënon fitoren e dytë në Botërorin 2026, mposht bindshëm Irakun
BKT
Botërori 2026

Franca shënon fitoren e dytë në Botërorin 2026, mposht bindshëm Irakun

Uran Krasniqi/RTKLive

(E plotësuar, 2: 49) - Franca ka regjistruar fitoren e dytë në Botërorin 2026, pasi në një ndeshje të nisur të hënën e të mbaruar të martën në Philadelphia e ka mposhtur Irakun me rezultat të thellë 3:0.

Francezët e kanë nisur ndeshjen në mënyrë të sigurt dhe kanë kaluar në epërsi që në minutën e katërmbëdhjetë. Kylian Mbappe ka përfituar nga një asistim i Michael Olise në skajin e zonës së rreptësisë dhe me një goditje të saktë e ka dërguar topin në rrjetë për rezultatin 1:0.

Me këtë epërsi minimale ka përfunduar edhe pjesa e parë. Pjesa e dytë ka nisur me dy orë vonesë për shkak të kushteve atmosferike. 

Në pjesën e dytë, francezët e kanë rritur ritmin dhe e kanë siguruar fitoren. Në minutën e pesëdhjetë e katërt, Ousmane Dembele ka asistuar për Mbappe, i cili nga afërsia e ka realizuar golin e tij të dytë personal dhe të dytin për Francën në këtë takim.

Vetëm dymbëdhjetë minuta më vonë, Michael Olise është shndërruar sërish në protagonist. Ai ka dhuruar një asistim për Ousmane Dembele, i cili nga brenda zonës ka goditur saktë për rezultatin përfundimtar 3:0.

Tashmë franca e kryeson Grupin I dhe ka kaluar në fazën tjetër. 

Moti i keq ndërpret Francë – Irak, shtyhet fillimi i pjesës së dytë

Fillimi i pjesës së dytë të ndeshjes mes Francës dhe Irakut është shtyrë për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike në Philadelphia.

Takimi i vlefshëm për Grupin I po transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Organizatorët kanë vendosur që ndeshja të mos rinisë menjëherë pas pushimit, ndërsa aktualisht nuk ka një njoftim zyrtar se kur do të vazhdojë takimi.

Në momentin e ndërprerjes, Franca ishte në epërsi 1:0 falë golit të Kylian Mbappe të shënuar në minutën e katërmbëdhjetë.

Kushtet e motit me reshje shiu kanë ndikuar në zhvillimin normal të ndeshjes, ndërsa lojtarët dhe stafet teknike po presin vendimin e organizatorëve për rifillimin e saj.

Franca në epërsi minimale ndaj Irakut pas pjesës së parë

Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes mes Francës dhe Irakut në kuadër të Grupit I të Botërorit 2026, me francezët që po udhëheqin me rezultat 1:0.

Golin e vetëm të pjesës së parë e ka realizuar Kylian Mbappe në minutën e katërmbëdhjetë. Sulmuesi francez e ka pranuar një asistim nga Michael Olise në skajin e zonës së rreptësisë dhe me një goditje të saktë e ka dërguar topin në rrjetë për epërsinë e Francës.

Më herët, në minutën e shtatë, Dayot Upamecano ka depërtuar në zonën kundërshtare dhe ka kërkuar penallti pas një dueli me një lojtar irakian, por gjyqtari ka vendosur ta vazhdojë lojën.

Takimi po zhvillohet në Philadelphia, ku kushtet atmosferike janë me shi, ndërsa transmetimi i drejtpërdrejtë për publikun e Kosovës po bëhet nga RTK.


MË SHUME NGA Botërori 2026