Sonte tri ndeshje në RTK, Zvicër-Kanada përballja për kreun e Grupit B
BKT
Botërori 2026

Sonte tri ndeshje në RTK, Zvicër-Kanada përballja për kreun e Grupit B

B.H./RTKlive

Faza e grupeve e Kupës së Botës 2026 vazhdon sot me duele vendimtare në Grupin B, ku vëmendja kryesore do të jetë te përballja mes Zvicrës dhe Kanadasë, e cila transmetohet drejtpërdrejt në RTK në orën 21:00.

Ndeshja që zhvillohet në stadiumin “BC Place” në Vancouver pritet të vendosë renditjen finale në grup, pasi të dyja skuadrat kanë bërë paraqitje të mira në dy xhirot e para. Zvicra vjen pas fitores bindëse 4:1 ndaj Bosnje e Hercegovinës, ndërsa Kanadaja, një nga vendet organizatore të këtij Botërori, shkëlqeu me triumfin e thellë 6:0 kundër Katarit.

Kjo përballje është një nga më interesantet e ditës, me dy kombëtare që synojnë jo vetëm kualifikimin, por edhe pozitën e parë në grup për të siguruar një kundërshtar më të favorshëm në fazën eliminatore.

Ndërkohë, në Seattle zhvillohet ndeshja tjetër e Grupit B mes Bosnje e Hercegovinës dhe Katarit, ku të dyja skuadrat kanë vetëm nga një pikë dhe fitorja është pothuajse detyrim për të mbajtur gjallë shpresat për kalim tutje.

Përzgjedhësi i Bosnjës, Sergej Barbarez, ka deklaruar për Reuters se ekipi i tij do të luajë në sulm dhe nuk do të kërkojë të mbrohet, duke e cilësuar ndeshjen si vendimtare për fatin e boshnjakëve në këtë Botëror.

Nga ana tjetër, përzgjedhësi i Katarit, Julen Lopetegui, ka thënë se skuadra e tij do të luftojë “deri në fund” për të arritur fitoren e parë historike në një Kampionat Botëror si kombëtare e kualifikuar përmes eliminatoreve.

Në xhiron e tretë ndeshjet në secilin grup zhvillohen në të njëjtën kohë.

Në mesnatë (00:00) në RTK transmetohet ndeshja e Grupit C ndërmjet Marokut dhe Haitit, derisa në orën 03:00, transmetohet dueli i Grupit A, ndërmjet Afrikës së Jugut dhe Koresë Jugore.


MË SHUME NGA Botërori 2026