Bosnja fiton ndaj Katarit dhe afrohet drejt fazës eliminatore
BKT
Botërori 2026

Bosnja fiton ndaj Katarit dhe afrohet drejt fazës eliminatore

Uran Krasniqi / RTKLive

(E plotësuar, 23:8) - Bosnja dhe Hercegovina ka shënuar fitore të rëndësishme me rezultat 3:1 ndaj Katarit në ndeshjen e fundit të Grupit B të Kupës së Botës 2026, duke rritur ndjeshëm gjasat për kualifikim në fazën eliminatore.

Heroi i ndeshjes ka qenë talenti tetëmbëdhjetë vjeçar Kerim Alajbegoviq, i cili ka realizuar një gol të jashtëzakonshëm në minutën e njëzet e tetë. Mesfushori boshnjak ka kaluar tre mbrojtës kundërshtarë pranë zonës së rreptësisë dhe më pas e ka dërguar topin në rrjetë me një goditje të pandalshme për portierin Mahmud Abunada.

Vetëm pesë minuta më vonë, Bosnja e ka dyfishuar epërsinë. Një goditje e veteranit Edin Xheko është devijuar në portën e vet nga mbrojtësi i Katarit, Sultan Al-Brake, duke e çuar rezultatin në 2:0.

Boshnjakët kanë qenë pranë golit të tretë edhe para pushimit, kur Xheko e ka goditur shtyllën pas një aksioni të shpejtë në sulm.

Megjithatë, Katari është rikthyer në lojë në fund të pjesës së parë. Hasan Al-Hajdos ka shënuar nga afërsia pas një asistimi të Edmilson Junior, duke ngushtuar rezultatin në 2:1.

Në pjesën e dytë, Katari është hedhur në sulm në kërkim të barazimit dhe ka krijuar disa raste të rrezikshme. Akram Afif ka qenë më afër golit, por goditja e tij ka përfunduar në rrjetën e jashtme të portës.

Kur ndeshja po hynte në minutat vendimtare, Bosnja e ka vulosur fitoren. Në minutën e tetëdhjetë, Ermin Mahmiq ka përfituar nga një tollovi në zonën e Katarit dhe ka shënuar për 3:1, duke siguruar tri pikët për skuadrën e tij.

Me këtë fitore, Bosnja dhe Hercegovina e mbyll Grupin B në vendin e tretë me katër pikë dhe është shumë pranë sigurimit të një vendi në fazën e 1/32 së finales.

Në anën tjetër, humbja i ka dhënë fund rrugëtimit të Katarit në Kupën e Botës 2026, me skuadrën aziatike që eliminohet nga gara pas fazës së grupeve.

Bosnja në epërsi ndaj Katarit pas pjesës së parë

Bosnja dhe Hercegovina ka shkuar në pushimin mes pjesëve me epërsi 2:1 ndaj Katarit në ndeshjen e Grupit B të Kupës së Botës.

Boshnjakët e kanë nisur shumë mirë takimin dhe që në minutën e tretë kanë rrezikuar portën kundërshtare. Ivan Sunjiq e ka provuar me një goditje nga afërsia e zonës, por portieri Mahmoud Abunada e ka larguar topin në këndore.

Në minutën e shtatëmbëdhjetë, Ivan Basic ka tentuar me një goditje nga distanca, por topi ka kaluar pak mbi traversë.

Epërsia e Bosnjës ka ardhur në minutën e njëzet e nëntë. Kerim Alajbegoviq ka depërtuar mes mbrojtësve kundërshtarë dhe ka realizuar me goditje nga jashtë zonës, duke e dërguar topin në këndin e sipërm të portës për rezultatin 1:0.

Vetëm pesë minuta më vonë, Bosnja e ka dyfishuar epërsinë. Një goditje e vendasve është devijuar nga mbrojtësi i Katarit, Sultan Al Brake, i cili pa dashje e ka dërguar topin në rrjetën e skuadrës së tij për 2:0.

Megjithatë, Katari është rikthyer në lojë para përfundimit të pjesës së parë. Në minutën e dyzet e dytë, Edmilson Junior ka asistuar për Hasan Al Haydos, i cili ka shënuar në portën e zbrazët dhe ka ngushtuar rezultatin në 2:1.

Pas dyzet e pesë minutave të para, Bosnja dhe Hercegovina mban avantazhin minimal dhe mbetet në rrugë të mirë për të siguruar pikë të rëndësishme në Grupin B.


MË SHUME NGA Botërori 2026