Sonte në RTK tri ndeshje të Kupës së Botës 2026
B.H./RTKlive
Faza e grupeve në Kupën e Botës 2026 ka hyrë tashmë në momentet vendimtare, ku do të përcaktohen skuadrat që do të vazhdojnë garën në fazën e eliminimit direkt, teksa sonte zhvillohen ndeshjet e fundit në grupet D, E dhe F.
Në programin e RTK-së, nga ora 22:00 transmetohet dueli i Grupit E mes Kurasaos dhe Bregut të Fildishtë. Përfaqësuesja afrikane hyn në këtë ndeshje me synimin e qartë për të siguruar kualifikimin, pasi në dy ndeshjet e para mposhti Ekuadorin dhe zhvilloi paraqitje konkurruese ndaj Gjermanisë. Trajneri Emerse Fae ka vlerësuar se skuadra e tij e meriton kalimin në fazën tjetër, por ka paralajmëruar se Kurasao mbetet kundërshtar i rrezikshëm.
Në të njëjtën kohë, Gjermania përballet me Ekuadorin. Katër herë kampionët e botës e kanë siguruar tashmë vendin e parë në grup pas fitoreve ndaj Kurasaos dhe Bregut të Fildishtë, ndërsa Ekuadori kërkon rezultat pozitiv për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.
Nga ora 01:00 pas mesnate, RTK transmeton ndeshjen Tunizi – Holandë në Grupin F. Holanda është pranë kualifikimit pas fitores bindëse 5:1 ndaj Suedisë, ndërsa Tunizia ka mbetur pa gjasa reale për vazhdimin e garës pas rezultateve të deritanishme. Në ndeshjen tjetër të grupit përballen Japonia dhe Suedia, në një duel me rëndësi të madhe për renditjen finale.
Programi mbyllet në orën 04:00 me sfidën e Grupit D mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila transmetohet drejtpërdrejt në RTK. Amerikanët e kanë siguruar tashmë vendin e parë në grup pas fitoreve ndaj Paraguait dhe Australisë, ndërsa Turqia është eliminuar. Në ndeshjen tjetër të grupit, Paraguai dhe Australia do të luftojnë për vendin e dytë dhe për një biletë direkte drejt fazës së eliminimit.
Grupi E - ora 22:00
Kurasao - Bregu i Fildishtë | RTK1
Gjermania – Ekuadori | VS1
Grupi F - 01:00
Tunizia – Holanda | RTK1
Japonia – Suedia | VS1
Grupi D - 04:00
Paraguai – Australia | VS1
Turqia – SHBA | RTK1























